Përparim Rama kryetar i ri i Prishtinës

Janë numëruar mbi 99% të votave në Prishtinë, e ku fitues i këtyre zgjedhjeve ka dalë Përparim Rama i LDK-së.

Rama mori 40 mijë e 658 vota, ose 51,07% të votave. Ndërkohë që Arben Vitia i VV-së mori 38 mijë e 958 vota, apo 48.93% të votave.

Në kryeqytet janë numëruar 93.12 për qind të votave dhe po vazhdon të prijë kandidati i LDK-së, Përparim Rama.

Nga e hëna pajisjet dimërore për automjete, të obliguara

Nga 15 nëntori të gjithë shoferët pjesëmarrës në trafik obligohen që të kenë pajisjet dimërore në automjetet e tyre.

Kështu ka bërë të ditur Policia e Kosovës, e cila ka apeluar që të nga kjo datë të mos dilet në komunikacion pa pajisje dimërore.

“Policia e Kosovës kërkon nga pjesëmarrësit në trafik (drejtuesit e automjeteve) që të kenë pajisjet dimërore për automjetet e tyre”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Lutfi Haziri mban tubimin përmbyllës në Gjilan

Lidhja Demokratike e Kosovës ka përmbyllur fushatën për balotazh në qytetin e Gjilanit. Mijëra pjesëmarrës të Lutfi Hazirit ishin mbledhur në sheshin e qytetit.

Lutfi Haziri, kandidat për kryetar tha se Gjilani ka vendosur për LDK’në.

“Ky masovitet sonte është përtej partiak dhe është treguesi më i mirë se Gjilani nuk duron bedel politik, por një Kryetar që qeveris pa presion, pa ndikime e pa anime. Ky masovitet sonte është tregues se gjilanasit e duan një Kryetar që qeverisë mbi parimin e barazisë, sepse para ligjit dhe para Zotit jemi të gjithë të barabartë”, tha Haziri.

“Kërkoj mbështetjen tuaj për vazhdim të qeverisjes me duar të pastra e dyer të hapura për qytetarët”, tha ai.

Zëri i Amerikës: Kosova do të ftohet në Samitin e Bidenit për Demokraci?

Kosova do të ftohet në Samitin për Demokraci që organizohet nga presidenti amerikan Joe Biden mëson Zëri i Amerikës nga burimet e saj në Washington.

Sipas Zërit të Amerikës s’ka konfirmim zyrtar akoma dhe se Departamenti i Shtetit su ka kthyer përgjigje atyre lidhur me këtë çështje.

Gazeta prestigjioze Politico kishte publikuar listën e shteteve që presidenti Biden kishte ftuar për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci më 9 dhe 10 dhjetor, por që Kosova nuk përfshihej në të.

Një grup i organizatave joqeveritare nga Kosova, ka kërkuar përmes një letre që, Shtetet e Bashkuara të shqyrtojnë thirrjen e Kosovës për të marrë pjesë në Samitin për Demokraci, të organizuar më 9 dhe 10 dhjetor nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Vërtetësinë e kësaj letre e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë njëri nga nënshkruesit e saj, Agon Maliqi, kryetari i bordit të platformës jofitimprurëse, Sbunker.

“Ne jemi të vetëdijshëm për kontekstin delikat të sigurisë në Ballkan, që prodhon ndarje të thella etnike dhe shpesh paqëndrueshmëri. Megjithatë, duke pasur parasysh përparimin e vazhdueshëm që Kosova ka bërë gjatë viteve për të ndërtuar demokraci, por edhe raportet e posaçme mes popullit të Kosovës dhe të Shteteve të Bashkuara, ne besojmë se Kosova meriton të jetë pjesë e kësaj iniciative strategjike dhe do të përfitonte nga e njëjta”, thuhet në letër.

Samiti për demokraci do të ketë tri tema kyçe: mbrojtjen kundër autoritarizmit, adresimin dhe luftimin e korrupsionit dhe avancimin e respektimit të të drejtave të njeriut.

Pas takimit të parë dhe konsultimeve në të, Biden do të ftojë liderët botërorë sërish, që të diskutojnë rreth përparimit të bërë.

Shtetet baltike: Kriza në Bjellorusi është rrezik për përleshje ushtarake

Shtetet fqinje të Bjellorusisë të enjten shprehën shqetësim se kriza me emigrantët që po mundohen të futen në Bashkimin Evropian mund të eskalojë në përleshje ushtarake.

Lituania, Estonia e Letonia e dënuan atë që e cilësuan “eskalim të qëllimshëm të sulmit të vazhdueshëm hibrid nga regjimi bjellorus, që po paraqet kërcënime serioze ndaj sigurisë evropiane”, duke iu referuar akuzave se Bjellorusia po i përdor emigrantët si armë.

“Kjo e rrit mundësinë e provokimeve dhe incidenteve serioze, që gjithashtu do të mund të eskalojë në sferën ushtarake”, thuhet në deklaratën e përbashkët të ministrave të Mbrojtjes të Lituanisë, Letonisë e Estonisë, shkruan Reuters.

Autoritetet në Varshavë thanë të enjten se emigrantët e bllokuar në Bjellorusi hodhën gurë dhe degë drurësh në drejtim të rojave kufitare polake dhe përdorën trungje në përpjekje për ta prishur rrethojën e mprehtë gjatë natës në përpjekje të re për t’u futur në territorin e BE-së.

Bashkimi Evropian mund t’i vendosë sanksione të reja Bjellorusisë që nga e hëna, pasi e akuzoi këtë vend për organizimin e një sulmi hibrid ndaj bllokut duke inkurajuar mijëra emigrantë të ikur nga vendet në konflikt për të hyrë në BE.

Përplasje në Tiranë, aksidentohet aktori Gazmend Paja

Aktori i njohur i humorit Gazmend Paja është aksidentuar mesditën e kësaj të enjteje në Tiranë. Policia njofton se ai është përplasur nga një makinën në vendin e njohur si “Rruga e Kavajës” në kryeqytet.

“Me datë 11.11.2021, rreth orës 11:08, në rrugën e Kavajës, mjeti me drejtues shtetasin E. K., është përplasur me një motomjet me drejtues shtetasin G. P. Si pasojë është dëmtuar drejtuesi i motomjetit shtetasi G. P., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve”, njofton Policia.

Grupi hetimor është në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

6 raste të reja, asnjë viktimë nga COVID-19 në 24 orët e fundit në Kosovë

Në 24 orët e fundit në Kosovë nuk është regjistruar asnjë viktimë e COVID-19. Gjatë kësaj kohe janë raportuar edhe 6 raste të reja të infektuara me këtë virus. Kështu është bërë e ditur nga Ministria e Shëndetësisë.

Njoftimi i Ministrisë së Shëndetësisë:

Ministria e Shëndetësisë, sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, informon:

Në 24 orët e fundit janë dhënë 2.264 doza të vaksinës kundër COVID-19.

Prej fillimit të vaksinimit në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1.589.739 doza të vaksinës.

Deri më sot 746.232 qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë.

Nga 1.427 testime, 6 qytetarë kanë rezultuar pozitiv me virusin COVID-19.

Gjatë 24 orëve të fundit, nuk është shënuar asnjë rast i vdekjes

Sot janë shëruar 21 qytetarë, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve është 157.504.

Në total numri i rasteve aktive është 429.

Çudira nga parlamenti! Deputeti demokrat: Elbasani me dalje në det, kufizohet me Maqedoninë dhe Italinë

Gjatë diskutimeve në Komisionin e Ligjeve, deputeti demokrat Dashnor Sula ka bërë një gafë teksa ka thënë se Elbasani si qarku më i madh në vend, nuk duhet të ketë vetëm një prokurori.

Teksa ka përshkruar shtrirjen gjeografike të Elbasanit, Sula ka thënë se kufizohet me Maqedoninë nga lindja si dhe ka dalje në det dhe kufizohet me Italinë nga ana tjetër.

“A ka mundësi KLP të rekrutojë prokurorë të rinj. A mundet që ju të bëni të mundur të plotësoni vakancat që kanë prokuroritë e rretheve, apelit? Nëse nuk bëhet, a keni mundësi të ushtroni presion te ministria e Financave, që të shtojmë 50 oficerë të policisë gjyqësore për të ndihmuar prokurorët. Pyetja e dytë ka të bëjë me hartën gjyqësore, që është një shqetësim jashtëzakonisht i madh.

Pse e them këtë? Po marr qarkun e Elbasanit, është qarku që ka shtrirjen më të madhe në Republikën e Shqipërisë, kufizohet me Maqedoninë dhe këtej me detin me Italinë. Ka vetëm një prokurori, e qarkut të Elbasanit. Numri i prokurorëve është me mangësi, a mund të zotërohet territori nga një prokurori qendër qarku, aq më tepër që diskutohet” deklaroi ai.

Vazhdon shtrenjtimi i produkteve ushqimore në Kosovë, gjatë tetorit u rritën për 5.7 për qind

Muajve të fundit është vërejtur një rritje e lartë e çmimeve për produktet bazë për konsum. Ngritjen e këtyre çmimeve e ka konfirmuar edhe Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), duke shtuar se Indeksi i tërësishëm i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK) është rritur kryesisht te buka, mishi, qumështi dhe druve.

Sipas ASK-së, norma vjetore e inflacionit në muajin tetor ka arritur në 5.7 për qind.

“Bukë dhe drithëra me 5.7 për qind, mish me 2.4 për qind, qumësht, djathë dhe vezë me 6.2 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 27.9 për qind, kafe, çaj dhe kakao me 4.1 për qind, pije alkoolike me 4.5 për qind; duhan me 2.8 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 8.1 për qind, produkte farmaceutike me 2.3 për qind, karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 35.5 për qind, shërbime për transport me 2.3 për qind dhe shërbime hoteliere me 2.7 për qind”, thuhet në raportin “Indeksi i Harmonizuar i Çmimeve të Konsumit (IHÇK), tetor 2021”, shkruan Telegrafi.

Inflacioni mujor i matur nga IHÇK ishte 1 për qind në muajin tetor 2021, krahasuar me muajin paraprak.

“Rritje të çmimeve të konsumit ka pasur në bukë dhe drithëra me 3.9 për qind, mish me 0.4 për qind, qumësht, djathë dhe vezë me 1.7 për qind, vajra dhe yndyra ushqimore me 2.9 për qind, sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira me 2.1 për qind, kafe, çaj dhe kakao me 3 për qind, gaz me 5.1 për qind, lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri, pelet me 5.8 për qind, blerje e automjeteve me 3.2 për qind, karburante dhe lubrifikantë për pajisjet e transportit personal me 6.2 për qind”, vijon raporti.

Agjencia po ashtu, njofton se norma vjetore e inflacionit në muajin shtator ka arritur në 4.9 për qind.

Kjo rritje e çmimeve ishte vërejtur kryesisht te produktet e mishit, qumështit, perimet, uji e lëngjet, lëndët djegëse dhe shërbimet hoteliere.

Për këtë muaj, nga të dhënat e Trading Economics, del se Kosova është vendi i dytë me normën më të lartë të rritjes së çmimeve në rajon.

E përveç këtyre rritjeve në produkte ushqimore në Kosovë, është paralajmëruar edhe rritja e çmimit të faturave të energjisë elektrike. E për këtë gjë qytetarët që ngrohen me rrymë thonë që do ta kenë shumë të vështirë pasi që, do t’iu duhet që ta ndërrojnë sistemin e ngrohjes, nga ajo me rrymë ta bëjnë me lëndë tjera djegëse, ngase sipas tyre mund t’i përballojnë kostot.

ZPS njofton gjykatën se ka mbyllur çështjen e saj kundër Gucatit dhe Haradinajt

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) e ka njoftuar trupin gjykues në rastin e Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt se e ka përmbyllur çështjen e saj.

Ky njoftim u bë më 10 nëntor, përmes shkresës së dorëzuar në gjykatë.

Ndryshe, trupi gjykues në çështjen gjyqësore ndaj Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt ka caktuar 6 dhjetorin si datë tentative për nisjen e paraqitjes së provave nga ana e mbrojtjes, paraprirë prej konferencës përgatitore për mbrojtjen më 2-3 dhjetor.

Kështu është bërë e ditur përmes një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë.

“Kurse, pritet që mbrojtja të dorëzojë mocionet e veta për rrëzimin e ndonjë prej akuzave ose të gjitha akuzave në bazë të rregullës 130, brenda datës 17 nëntor. Urdhri mund të lexohet në dokumentacionin gjyqësor publik të DHSK-së”, thuhej në këtë njoftim.

Më 5 nëntor ka përfunduar dëshminë e tij, dëshmitari i katërt, Daniel Moberg, në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës, Hysni Gucatit dhe Nasim Haradinajt.

Ndryshe, më 7 tetor ka filluar gjykimi ndaj Gucatit dhe Haradinajt, ku ZPS ka dhënë fjalën hyrëse.

Hysni Gucati së bashku me Nasim Haradinajn, po akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, për frikësim të dëshmitarëve, për hakmarrje dhe për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

“Akuzat e paraqitura në aktakuzën e konfirmuar mbështeten në dyshimin e bazuar mirë se së paku midis 7 dhe 25 shtatorit 2020, z. Gucati dhe z. Haradinaj zbuluan pa autorizim informacion të mbrojtur prej Ligjit të Dhomave të Specializuara, ndër të cilat të dhëna identifikuese të disa dëshmitarëve (të mundshëm), në tre konferenca shtypi dhe aktivitete të tjera të transmetuara, si edhe përmes shpërndarjes së mëtejshme ku përfshihen deklaratat në rrjetet sociale”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara.

Gucati dhe Haradinaj ngarkohen se kanë bërë komente nënçmuese kundër dëshmitarëve të mundshëm dhe në mënyrë të përsëritur shprehen synimin e tyre për të dëmtuar punën e Dhomave të Specializuara.h

“Me këto veprime, z. Gucati dhe z. Haradinaj shkelën fshehtësinë e procedurës dhe frikësuan dëshmitarë (të mundshëm) të Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe si pasojë penguan punën dhe hetimet e ZPS-së”, thuhej në njoftimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës.