Gjimshiti operohet me sukses, pritet të mungojë 30 ditë

Berat Gjimshiti ka pësuar një lëndim në ndeshjen mes Hungarisë dhe Shqipërisë të shtunën në mbrëmje në stadiumin ‘Puskas Arena’.

Pas një dueli në zonën shqiptare, Gjimshiti u përplas me kapitenin Etrit Berisha dhe mbeti i shtrirë në fushë, ku më vonë u kuptua se ka thyer dorën.

Mbrojtësi qendror është rikthyer në Itali, ku tanimë është operuar me sukses.

Ka qenë faqja zyrtare e klubit italian Atalanta që ka konfirmuar se Gjimshiti ka kryer me sukses operimin, teksa do të mbetet jashtë fushave për rreth 30 ditë.

“Futbollisti Berat Gjimshiti kreu me sukses një ndërhyrje kirurgjikale në parakrahun e majtë”.

“Pas disa ditësh mbrojtësi zikaltër do të rifillojë stërvitjen, koha e parashikuar për t’u rikthyer në fushën e blertë është rreth 30 ditë”, ka shkruar faqja zyrtare e Atalantës.