PSD paralajmëron padi ndaj Qeverisë Kurti për 11 milionët që u ndanë për rrymën në veri

Dardan Molliqaj, kryetar i Partisë Socialdemokrate (PSD), ka thënë se do të ngrisin padi kundër vendimit të Qeverisë Kurti për ndarjen e 11 milionë eurove për të paguar faturat e papaguara të komunave me shumicë serbe në veri, në rast se nuk tërhiqet ky vendim.

Reagimi i Molliqajt vjen pas vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e anuloi vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji që t’i paguhet rryma katër komunave veriore në periudhën 2012-2017.

“Të njëjtin avaz e ka vazhduar edhe Qeveria e “ndryshimit të madh”. Në maj të këtij viti Qeveria ndau 11 milionë euro për të paguar faturat e papaguara të katër komunave në veri. Me 7 maj, bashkë me aktivistë të PSD-së ishim arrestuar duke protestuar kundër vazhdimit të “gjakderdhjes financiare”. Vendimi i sotëm e bën praktikisht të paligjshëm edhe vendimin që u mor në maj. Ky vendim duhet të zhbëhet sa më parë. Përndryshe, një padi për këtë çështje do ta kemi shumë shpejt”, ka shkruar ai nëpërmjet një postimi në ‘Facebook’.

Përgjatë së hënës, Gjykata Themelore në Prishtinë e ka marrë nën shqyrtim ankesën e Avokatit të Popullit, duke e cilësuar si të kundërligjshme pagesën e rrymës në veri.

Gjykata ka obliguar kthimin e 40 milionë eurove si kompensim ndaj qytetarëve të Kosovës, shifër totale kjo e faturuar si shtesë në shpenzimet mujore të energjisë elektrike.