“Si një finale e madhe”/ Përballja me Poloninë, Reja i ka zgjedhur 11 gladiatorët, 4 ndryshimet në formacion

Ndeshja e sotme ndaj Polonisë mund të cilësohet për Shqipërinë si një finale e madhe, pasi ajo do të vendosë fatin mbi ndeshjen e Play-off, për të shpresuar që Shqipëria të hedhë hapin e madh drejt kualifikimit në Botëror, Katar 2022, duke realizuar një endërr të madhe.

Trajneri Edi Reja ka jo pak probleme për krijimin e formacionit, me Gjimshiti, mbrojtësin kyç të ekipit të dëmtuar dhe Cikalleshin e stopuar nga infektimi me COVID. Ndërsa për shkak të 2 kartonave të verdhë nuk do të jetë as Endri Çeçiki.

Kështu në krahasim me ndeshjen ndaj Hungarisë tre ditë më parë, tekniku italian i kuqezinjve pritet të bëjë katër ndryshime, tre prej të cilave të detyruara dhe një për zgjedhje teknike të tij.

Në portë trajneri do të konfirmojë Etrit Berishën, që është në formë mjaft të mirë dhe do të luajë me shiritin e kapitenit në krah. Në mbrojtje, krahas Ismajlit e Kumbullës, do të zbresë në fushë edhe Veseli, që do të marrë vendin e Gjimshitit të dëmtuar, pasi edhe në Hungari tregoi se është në formë mjaft të mirë.

Në mesfushë do të konfirmohen katër nga 5 titullarët e përballjes ndaj Hungarisë, me Hysajn e Trashin nga krahët dhe Gjasulën e Baren në qendër, ndërsa Nedim Bajrami do të luajë nga minuta e parë në vendin e Çekiçit të pezulluar.

Ndryshon totalisht sulmi, pasi vendin e Cikalleshit pritet ta marrë Rey Manaj, i cili është edhe lojtar i ngjashëm me kavajasin, pasi di të luajë me shpinë nga porta dhe të krijojë hapësira, ndërsa në krah të tij do të luajë sulmuesi më në formë i momentit te kuqezinjtë, Armando Broja.

Forma e tij e mirë, me tre gola dhe dy asiste në 81 minuta të luajtura në tre ndeshjet e fundit, ka bërë që trajneri Edi Reja të mos guxojë ta lërë sërish në pankinë, aty ku ndaj Polonisë do të ulet beratasi Myrto Uzuni, i cili do të ketë mundësinë të tregojë vlerat e tij në ndeshje e sipër.