Finalizohet marrëveshja e Xhakës me Arsenalin, do të ketë rritje rroge dhe do të zyrtarizohet së shpejti

Transferimi i Granit Xhakës te Roma ka dështuar deh Arsenali së shpejti do ta zyrtarizojë vazhdimin e kontratës për kapitenin.

Mesfushori shqiptar ishte pranë kalimit te Giallorossët, të cilët kanë qenë në bisedime me klubin anglez tash e një kohë.

28-vjeçari ishte prioritet i Jose Mourinhos për përforcimin e mesfushës, mirëpo dy klubet nuk arritën marrëveshje për çmimin e transferimit.

Trajneri i Arsenalit deklaroi të dielën se Xhaka nuk do të largohet nga Emirates Stadium, ndërsa tash është bërë e ditur se zyrtarizimi do të ndodhë në një të ardhme të afërt.

Eksperti i transferimeve, Fabrizio Romano, ka thënë një njoftim të ri duke theksuar se palët do të nënshkruajnë kontratë deri në vitin 2025.

Për më shumë, ai ka theksuar se marrëveshja është konfirmuar dhe është kompletuar me agjentin e tij dhe se Xhaka do të ketë rritje të rrogës.