Kosova e pret sot Gjeorgjinë, kombëtaren e vetme që e ka mposhtur në kualifikime për Botëror

Kosova do të përballet sot me Gjeorgjinë në Prishtinë, në një ndeshje që nuk çon shumë peshë, por verdhekaltrit do të synojnë ta shmangin përfundimin e kualifikimeve për Kupën e Botës si ekipi i fundit në grup.

Kombëtarja e Kosovës do të jetë nikoqire e Gjeorgjisë në Stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë, për ndeshjen e parafundit në Grupin B kualifikues në orën 20:45.

Gjeorgjia është ekipi i vetëm të cilin Kosova e ka mposhtur në këto kualifikime dhe po ashtu ekipi i vetëm pa fitore në grup.

I vetëdijshëm se synimi për ta siguruar pjesëmarrjen në një turne të madh për herë të parë ka marrë fund tashmë, ekipi kombëtar dardan do të përpiqet ta përfundojë këtë fushatë kualifikuese sa më mirë që të jetë e mundur.

Kosova është e parafundit me vetëm katër pikë nga pesë ndeshje, katër më pak se vendi i tretë Greqia dhe tri më shumë se Gjeorgjia në vendin e fundit.

Spanja dhe Suedia i prijnë grupit me nga 13 dhe 12 pikë, përkatësisht.

Kjo është hera e dytë që Kosova merr pjesë në kualifikime për Botëror që prej pranimit në UEFA e FIFA më 2016, pas debutimit në fushatën kualifikuese për Kupën e Botës 2018, kur nuk arriti ta shënojë asnjë fitore.

Por as fushata e dytë kualifikuese nuk ka qenë më e mirë, pavarësisht rritjes së Kosovës si ekip dhe një fushate të mrekullueshme kualifikuese për Euro 2020 paraprakisht.