Kim viziton burgun e Spaçit: Të ruhet për të mos u përsëritur ligësia e së shkuarës

Një grup ambasadorësh të vendeve të Bashkimit Europian dhe ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim vizituan këtë të martë ish-burgun famëkeq të Spaçit, njohur ndryshe edhe si “Reparti i Riedukimit 303”.

Në këtë kamp të ngritur nga komunizmi burgoseshin kundërshtarët politikë të regjimit.

“Ky vend është dëshmi e qartë dhe e tmerrshme e ligësisë – nuk ka fjalë tjetër përveçse “ligësisë” – së Enver Hoxhës dhe komunizmit”, shkruan ambasadorja Yuri Kim.

Kim thotë se një ish i burgosur i ka treguar ashpërsinë e qëndrimit të përditshëm në këtë burg dhe dhuna e puna skllavëruese që detyroheshin të bënin.

“Ish i burgosuri Zenel Drangu, i cili kaloi 18 vjet në Spaç sepse ishte arratisur në Jugosllavi, na tregoi për ashpërsinë e përditshme që u shkaktohej njerëzve aty: rrahjet, puna skllavëruese, nxjerrja në kushte ekstreme të motit, keqinformimi, ngjallja e dyshimeve të ndërsjella, aktet imorale të sadizmit – të gjitha të krijuara për t’i zhveshur njerëzit nga dinjiteti, logjika dhe shpresa”, shkruan ajo.

Kim bën thirrje që Spaçi të ruhet si kujtesë për të mos harruar ligësinë, në mënyrë që ajo të mos përsëritet.

“Spaçi duhet të ruhet, në përputhje me statusin e tij si një monument kombëtar shqiptar, për të kujtuar ata që vuajtën, për të nderuar ata që luftuan dhe për të na kujtuar të gjithëve ne se nuk duhet të lejojmë që kjo ligësi të ndodhë më kurrë”. Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim”, thotë Ambasadorja.