Policia në aksion, godet kontrabanduesit e mallrave ne disa qytete te Kosovës

Policia e Kosovës po zhvillon një operacion në nivel vendi, në luftimin e kontrabandës.

Policia ka njoftuar se ky operacion ka filluar sot orët e hershme të mëngjesit në disa lokacione të ndryshme, ku bëjnë pjesë katër rajone të Kosovës si Prishtina, Peja, Mitrovica e jugut dhe ajo e veriut.

Sinjali ka mësuar se bëhet fjalë për 20 lokacione të ndryshme.

Tutje policia ka njoftuar se në këtë operacion që është ende duke u zhvilluar janë duke u kryer kontrolle dhe bastisje në lokacione të ndryshme si shtëpi banimi, lokale biznesi, magazina të mallrave etj.

Kurse si rezultati i këtyre hetimeve deri më tani janë sekuestruar mallra dhe dëshmi të ndryshme të cilat shërbejnë si prova materiale.

“Policia e Kosovës në bashkëpunim dhe koordinim me autoritetet kompetente do të vazhdojë realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saj në nivel vendi, me qëllim të parandalimit të veprimtarive kriminale, parandalimit të kontrabandës së mallrave si dhe shkatërrimit të grupeve kriminale”, shkruhet në njoftimin e Policisë.