Mesazhi i koduar i Yuri Kim, a do të kemi bashkëqeverisje PS-PD?!

Ambasadorja amerikane Yuri Kim me anë të një editoriali për të përditshmen “Panorama” dha disa mesazhe të rëndësishme në adresë të klasës politike, duke na zbuluar atë çfarë shpresin SHBA-të pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, të cilat tashmë janë të certifikuara nga faktori ndërkombëtar.

Shkrimi, vjen si një linjë qëndrimi që vjen menjëherë pasi ambasadorja amerikane zhvilloi një takim në selinë blu, ku pati një takim “kokë me kokë” me Lulzim Bashën në zyrën e kreut të PD-së.

Mesazhi i parë i koduar i ambasadores ishte për një Parlament të pastër, dhe për këtë i ftoi si kryeministrin Edi Rama, ashtu edhe kryedemokratin Lulzim Basha që të punojnë së bashku në këtë drejtim. “Nxisim udhëheqësit nga të gjitha krahët që të kthehen me vendosmëri të ripërtërirë për të punuar fort në emër të popullit shqiptar. Kjo do të kërkojë ndryshim, vizion, si dhe udhëheqësi të vërtetë për të çrrënjosur krimin dhe korrupsionin, në mënyrë që secili të ketë një mundësi të drejtë dhe një të ardhme më të mirë. Do të kërkojë që Edi Rama, Lulzim Basha, si dhe udhëheqës të tjerë të kontrollojnë listat edhe njëherë për t’u siguruar që kur të kthehen në Parlament, njerëzit të mund të jenë krenarë për përfaqësuesit e tyre”, shkruan Kim në shkrimin e saj.

Mesazhi i dytë i diplomates amerikane lidhet me vendosjen e urave të bashkëpunimit mes PS-së dhe PD-së dhe në fusha të tjera. “Po ashtu, do të kërkojë që palët të ngrihen mbi interesat e tyre partiake dhe të gjejnë mënyrën për të arritur kompromis dhe për të bashkëpunuar me njëri-tjetrin për një kauzë më të lartë, për të ardhmen e Shqipërisë”, thuhet më tej në këtë artikull. Pikërisht ky mesazhi mund të ngrejë aludime që SHBA-të presin përtej një beteje politike apo sherresh brenda tempullit të demokracisë, që është Parlamenti.

Por a nënkupton ky mesazh, SHBA mund të jetë edhe pro një bashkëqeverisje?! Kim avancon mesazhin e saj duke deklaruar “Është koha që udhëheqësit të reflektojnë dhe të ndërmarrin veprime të guximshme. Është koha për udhëheqësit që të tregoni kush jeni dhe çfarë mendoni se meriton ky vend. Është koha për të udhëhequr”.

Mesazhet e diplomates amerikane nuk do t’i pëlqejnë asaj pjese opozitare që po e sulmon dhe e anatemon çdo ditë, për shkak se përfaqësojnë linjën e egër pro Berishës, ndërsa shigjetimet nuk do të mungojnë as për Bashën, si metodë presioni për të refuzuar këtë ofertë të sugjeruar nga përtej Altantikut, nëpërmjet përfaqësues së qeverisë amerikanë në Tiranë.

“Duam një partner, jo një problem”, ky është thelbi i këtij mesazhi, ku SHBA i ka lënë si ‘detyrë shtëpie’ që palët të reflektojnë deri në shtator dhe këtu përfshihen “ata në pushtet (Rama) dhe ata që shpresojnë të jenë në pushtet një ditë (Basha) – po kështu do të reflektojnë dhe planifikojnë për të ardhmen, për një Shqipëri më demokratike, më të sigurt dhe më të begatë”.