Ambasada amerikane për Ballkanin e Hapur: Kosova t’i qaset me mendje të hapur integrimit rajonal ekonomik

Shtetet e Bashkuara të Amerikës thonë se mbështesin përpjekjet e Ballkanit Perëndimor për të forcuar integrimin ekonomik dhe i bëjnë thirrje Qeverisë së Kosovë që t’i qaset me “mendje të hapur” përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik.

“Në fund të fundit, Qeveria e Kosovës duhet të vendosë se në cilat iniciativa do të bashkohet dhe cilat e mbështesin më së miri vizionin e saj ekonomik. Megjithatë, ne inkurajojmë qeverinë që t’i qaset përpjekjeve për integrim rajonal ekonomik me mendje të hapur dhe të përqafojë zgjidhjet që japin rezultate për kosovarët, teksa përmirësojnë raportet me fqinjët e saj”, thotë për Radion Evropa e Lirë një zëdhënës i Ambasadës amerikane në Prishtinë, duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me refuzimin e Qeverisë së Kosovës për t’iu bashkuar iniciativës “Ballkani i Hapur” (Open Balkan).

Në iniciativën “Ballkani i Hapur”, që më herët njihej me termin “mini-Shengeni”, marrin pjesë Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut.

Ideja e “mini-Shengenit” është prezantuar në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.