Dëshironi pushime ndryshe, për një vit? Mirësevini në planetin Mars

Në qoftë se jeni të stresuar nga puna dhe masat kundër pandemisë, një moshë 30-35 vjeçar me një diplomë si inxhinier ose matematicien, atëherë mund të merrni pushimet e ëndrrave. Jo në Detin e Kuq të turizmit masiv egjiptian, por në Planetin e Kuq, totalisht të izoluar për një vit.

Nuk është një skenar i një filmi fantastiko-shkencor, por lajmërimi zyrtar me të cilin agjencia hapësinore amerikane NASA po kërkon katër vullnetarë, të paguar, për një simulim kompleks që do të riprodhojë jetën e kolonizatorëve të parë në planetin Mars, i quajtur në kod Chapea, akronim i fjalisë “ eksplorim i shëndetit dhe performancës së ekuipazhit”.

Katër të përzgjedhurit, që do të kalojnë testime të rrepta fizike dhe të inteligjencës, do të izolohen në një strukturë brenda Qendrës Hapësinore të Hjustonit, e quajtur Mars Dune Alpha, me dimensionet e rreth 170 metra katrorë dhe e ndërtuar e gjithë me një printer 3D, që simulon të gjitha vështirësitë që një person mund të hasë në atë planet.

Vullnetarët do të përballojnë prova si fluturime virtuale, shëtitje në hapësirë, simulime të emergjencave të ndryshme si mungesa e komunikimit me bazën tokësore (të tipit, “Hjuston, kemi një problem!”, aq i përdorur nga filmat e Hollivudit), mbijetesa me ushqim të kufizuar, madje edhe një takim i papritur me krijesa jashtëtokësore. Parimi kryesor i misionit të NASA-s është i thjeshtë, në “hapësirë mund t’i besosh vetëm vetvetes”.

NASA ka një plan afatgjatë të rëndësishëm për misionet në Mars, që do të paraprihen nga rikthimi në Hënë brenda vitit 2024 me misionin Artemis. Hëna shihet si hap i ndërmjetëm, ndërkohë që misioni historik në Mars mund të realizohet brenda vitit 2030, edhe me ndihmën e miliarderëve si Jeff Bezos dhe veçanërisht Elon Musk, që duket sikur e kanë shndërruar kolonizimin e Marsit në objektivin e jetës.