Në Onkologji mungon ilaçi i listës esenciale për pacientët me kancer, një dozë e tij kushton 1 mijë e 450 euro

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, thotë se po presin që nesër të furnizohen me “Herceptin”, ilaçi që ka munguar për më shumë se tre jave e që një dozë kushton rreth 1500 euro.

Ky bari është në listën esenciale për trajtimin e të sëmurëve me kancer por që po mungon në Barnatoren Qendrore të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi thotë se beson që deri të martën do të furnizohen me këtë bari.

‘‘Po e presim nesër më ardhë. Besoj nesër vjen’’, ka thënë Kurtishi për “Betimi për Drejtësi”.

Mungesa e kësaj terapie për disa javë më radhë i ka shqetësuar familjarët e të cilëve po trajtohen më këtë terapi që përdoret prej të sëmurëve me kancer.

Muhamet Zymeri thotë se nëna e tij trajtohet me “Herceptin” derisa në tri javët e fundit ka pasur mungesë të këtij ilaçi.

‘‘Nëna ime i merr çdo tre javë, kësaj here nuk ka mujt më e marrë se ka mungesë, me e pagu ish tepër shtrenjtë”, është shprehu ai.

Zymeri ka shtuar se shpesh herë ka mungesa edhe të barnave tjera e që detyrohen më i ble vetë.

Edhe një qytetar tjetër, i cili s’ka pranuar të flasë me emër, ka thënë se nuk ka mundur ta trajtojnë nënën e tij pasi ka munguar ilaçi “Herceptin”.

‘‘Nëna ime çdo tri jave e ka nga një seancë më këtë ilaç, dhjetë i ka kry i ka edhe shtatë por nuk ka mujtë më e marrë më kohe pasi ka mungu, jam t’u pritë mos po vjen këto ditë nëse jo detyrohem me e ble vetë pasi nuk guxoj me e lanë nanën gjatë pa terapi’’, u shpreh ai në kushte anonimiteti.

Drejtori i Klinikës së Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka thënë se kjo ka ndodhur për shkak te mungesës së buxhetit.

‘‘Po, i kemi marrë informatat në Barnatoren Qendrore, kanë thanë qe ka pasë mungesë buxheti.

‘‘Betimi për Drejtësi’’ ka pyetur për çmimin në një barnatore private, të njëjtin kanë thënë se vetëm një ampulë kushton 1450 euro.

“E kemi ilaçin është më doze 440 mg dhe kushton 1 mijë e 450 euro”, kanë treguar nga barnatorja.

E njëjta dozë është edhe në listën e barnave esenciale që duhet te jepet në Barnatoren Qendrore.

Hericeptina apo qysh ndihet ndryshe Trastuzumab është një ilaç për kancer që përdorët në fazat e hershme edhe më të vona të kancerit të gjirit. Po ashtu përdoret edhe për trajtimin e kancerit të stomakut.