IKSHPK-ja apel për vaksinim: “Delta” po përhapet me shpejtësi dhe numri i rasteve po rritet

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike ka përsëritur apelin për vaksinim kundër COVID-19.

IKSHPK-ja ka thënë se varianti “Delta” po përhapet me shpejtësi dhe numri i rasteve po rritet, ndërsa ka ftuar qytetarët që të vaksinohen, pasi kjo është metoda më e mirë për të luftuar COVID-19.

Vaksinimi është metoda më e mirë, më e lirë dhe me efikase në luftë kundër COVID-19!

Vaksinimi zgjon mbrojtjen natyrore të trupit tonë për të krijuar rezistencë ndaj infeksioneve specifike dhe e fuqizon sistemin imunitar!

Vaksinimi parandalon vdekjet dhe komplikimet e rënda, të cilat kërkojnë shtrirjen e pacientit në spital.

Vaksinohuni ju dhe të afërmit tuaj!

Me vaksinim do ta kalojmë valën e re nga varianti “Delta” me sa më pak të sëmurë e sa më pak viktima.

Asnjëra vaksinë që është në përdorim në Kosovë nuk përmban virus të gjallë që shkakton COVID-19. Kjo domethënë se nuk mund të sëmureni me COVID-19 nga vaksina.

Kosova është i vetmi shtet në rajon që ka dhënë vetëm vaksina të miratuara nga Agjencia Evropiane dhe Amerikane e Barnave. Këto vaksina janë “Astra-Zeneca” dhe “Pfizer”. Këto vaksina kanë sigurinë, cilësinë dhe efikasitetin, që e plotësojnë standardin evropian dhe atë amerikan.

Disa po ngurrojnë për t’u vaksinuar, sepse frikësohen nga efektet anësore të cilat deri tani në Kosovë kanë qenë minimale, por dobia e mbrojtës nga COVID-19 është shumë herë më e madhe.

Nëse nuk vaksinohemi mund të rriten rastet e reja, duke u përcjellë me shtim të hospitalizimeve, vdekjeve, mbingarkesë të sistemit shëndetësor, rikthim të kufizimeve, goditje të shëndetit mental, shkollës, ekonomisë, kulturë, artit e sportit- thuhet ne thirjen e IKSHKP