Rritja e rasteve me COVID-19, Infektiva e spitalet fillojnë të mbushen me pacientë

Klinikat COVID të QKUK’së e spitalet e përgjithshme kanë filluar të mbushen me pacientë me rritjen e numrit të rasteve të infektuara me COVID-19. Drejtorë të klinikave thonë se me këtë trend të infektimeve, shumë shpejt mund t’u mbushen kapacitetet.

3 mijë e 149 raste të reja me COVID-19 janë raportuar në 10 ditët e fundit në Kosovë. Me rritjen e rasteve të reja të infektuara me COVID-19 është rritur edhe numri i pacientëve të hospitalizuar. Ndërsa, reparte në Infektivë kanë filluar të mbushen me pacientë.

Nga Shërbimi Klinik e Universitar i Kosovës kanë bërë të ditur se 186 pacientë kanë qenë sot të shtrirë në klinikat COVID, 136 prej të cilëve pozitiv me koronavirus, ndërsa 2 pacientë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Klinikës Infektive në QKUK, Arben Vishaj, ka thënë për gazetën se një repart i kësaj klinike është mbushur për 24 orë me pacientë të infektuar.

Ai ka treguar se nëse vazhdohet me këtë trend, do t’i plotësojnë kapacitetet shumë shpejtë.

“Ne i kemi gjithsej 6 reparte dhe nëse vazhdojmë me këtë trend plotësimi i kapaciteteve tona do të bëhet jashtëzakonisht shpejtë. Për momentin ne i kemi 53 pacientë të shtrirë në Klinikën Infektive. 3 pacientë janë të shtrirë në mjekimin intensiv”, ka thënë ai.

Përndryshe, Vishaj ka treguar se 7 pacientë të hospitalizuar në këtë klinikë janë të vaksinuar kundër COVID-19, 4 prej tyre me dy doza.

Megjithatë, ai ka thënë se ata po tregojnë manifestime klinike më të lehta.

“Ne i kemi 7 pacientë që kanë qenë të vaksinuar, prej tyre 4 me dy doza të vaksinës, 3 me nga një vaksinë. Te këta pacientë kemi vërejtur se manifestimet klinike kanë qenë më të lehta. Duhet që popullata sa më shpejtë të jetë e mundur të vaksinohet në mënyrë që këto shifra të mos jenë kështu siç janë”, ka thënë ai.

Ndërsa, nga spitalet e përgjithshme kanë treguar se së fundmi u është dyfishuar numri i pacientëve të shtrirë për shkak të COVID-19.

Drejtori i Spitalit t Gjakovës, Hilmi Shala ka thënë për Express se kanë pasur rritje të numrit të rasteve që kanë kërkuar hospitalizim ditëve të fundit.

Ai ka thënë se brenda ditës po u ndryshon situata.

Shala ka treguar se ditën e djeshme i kanë pasur 14 pacientë të hospitalizuar për shkak të COVID-19, ndërsa sot i kanë 29.

“Po ka pasur rritje të rasteve. Brenda ditës ka ndryshuar situata. Dje i kemi pasur 14 sot i kemi 29. Një pacientë e kemi në gjendje të rëndë. 10 janë me oksigjenoterapi”, ka thënë ai.

Shala ka thënë se për momentin po e menaxhojnë situatën e krijuar për shkak të pandemisë, derisa është shprehur se shpreson të mos ketë rritje të rasteve të infektuara edhe më tej.

“Për momentin jemi duke operuar me 85 shtretër dhe kemi kapacitete. Nëse vazhdon kështu për momentin jemi në rregull mundemi ta menaxhojmë situatën, urojmë që të mos kemi rritje të rasteve”, ka thënë ai.

Ndërsa, zëdhënës për informim në Spitalin e Pejës kanë thënë se në këtë spital janë të hospitalizuar 14 pacientë me COVID-19.

Nga ky spital kanë thënë se ende kanë kapacitete të mjaftueshme për pacientët me COVID-19.

Gjendje e njëjtë është edhe në spitalet tjera të përgjithshme, në të cilat po ashtu ka pasur shtim të numrit të pacientëve të hospitalizuar.

Nga Shërbimi Spitalor Klinik e Universitar i Kosovës kanë treguar se numri i pacientëve të hospitalizuar në spitalin e Prizrenit është 18, në spitali e Gjilanit është 19, në spitalin e Mitrovicës 9, e në atë të Vushtrrisë 2.

Ndërsa, në klinikën e Pulmologjisë në QKUK janë të shtrirë 39 pacientë, e në atë të Pediatrisë 3.

Nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen sa më parë kundër COVID-19.

Nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se deri në 80 për qind e rasteve të reja të infektuara me COVID-19 janë me variantin Delta të këtij virusi.

Nga kjo ministri kanë thënë se departamenti i Mikrobiologjisë në IKSHPK sipas nevojës po i dërgon kohë pas kohe disa mostra për testim jashtë vendit.

“IKSHPK ka bërë të ditur se nga rastet që këtyre ditëve rezultojnë pozitive për COVID-19, 70-80% janë raste të variantit Delta (Sars Cov-2). Departamenti i Mikrobiologjisë (IKSHPK) sipas nevojës se hulumtimit, dërgon kohë pas kohe mostra për testime jashtë vendit”, kanë thënë zëdhënës për informim në MSH.

Varianti Delta i COVID-19 ka filluar të përhapet me shpejtësi në shtete të ndryshme, e po ashtu edhe në Kosovë.

Infektologë në vend u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen sa më shpejtë kundër COVID-19, derisa kanë paralajmëruar një valë të katërt të COVID-19 në vjeshtë.