“S’më ha luli për ty”/ Haradinaj sqaron sherrin me Ramën në sy të Merkel: Duhet të mbroja arat nga vëllai im

Ramush Haradinaj, ish-kryeministri i Kosovës, ka folur mbi përplasjet që ka pasur me kryeministrin Edi Rama, në zyrën e Merkel.

Në një intervistë për RTK, Haradinaj u shpreh se nuk i mbrojti territoret e Kosovës nga kancelarja gjermane, Angela Merkel apo nga Presidenti francez, Emmanuel Macron, por nga “vëllai i tij shqiptar”.

“Zhgënjimi i kryeministrit Rama ose ato që i thotë sot, janë të pabazuara. Mendoj se në atë kohë ai ka qenë i rreshtuar gabim, pra për ndarjen e Kosovës, për hapjen e kufijve të Kosovës. Sigurisht që kjo ishte mjaft e rrezikshme për Ballkanin dhe do të na dërgonte në luftëra të reja. Jam detyruar t’i mbroj arat nga vëllai im, Edi Rama”, tha Haradinaj.

Ditën e djeshme, me anë të rrjeteve sociale, Rama shprehej: “Koha nuk ndalet dhe paqja nuk fitohet me mjetet e luftës. Kosova e fitoi luftën falë aleancës së pathyeshme të Shteteve të Bashkuara me fuqitë më të mëdha europiane, në mbështetje të ushtrisë së saj çlirimtare.

Po a mund ta fitojë Kosova paqen përfundimtare dhe a mund të prosperojë kombi shqiptar, duke u ftohur e siç i themi ne, duke “i treguar babait arat”, kur flet me Amerikën, Gjermaninë, Francën a me vetë Bashkimin Europian? E kam jetuar në vetë të parë “tregimin e arave”, deri në pikën që një lider kosovar i’a futi në sy të Merkelit e Macronit, “mu nuk më han luli për kta!” dhe mu aty e humbi rastin historik t’ia hiqte vizat Kosovës, të cilën e bëri lolo në sytë e aleatëve të saj të pazëvendësueshëm strategjikë me marrëzira kinse patriotike”.