“Kjo Qeveri është e frikshme”, Kimete Berisha e nervozuar që ministria po angazhon këngëtare për fushatën e vaksinimit

Publicistja Kimete Berisha, ka kritikuar Ministrinë e Shëndetësisë që po angazhon këngëtare në fushatën për vaksinim.

Berisha ka shkruar në Facebook se në krejt botën, fushatën për vaksinim e bëjnë mjekët dhe ata që janë kompetentë për mjekësi, derisa në Kosovë po angazhohen ‘VIP-at e estradës’.

“Në krejt botën bëjnë fushatë për vaksinim profesionistët, mjekët, punonjësit mjekësor, të gjithë ata doktorë të respektuar, që janë kompetentë për mjekësi, e në Kosovën e mjerë, Ministria e Shëndetësisë i angazhon në fushatë këngëtaret e VIP-at e estradës! Po kush je ti oj zonja këngëtare, çfarë karizme ke ti që del pakësh e flet për vaksinim…ku di ti çka është mirë e çka është keq për shëndet…”, ka shkruar Berisha.

Berisha thotë se Qeveria nuk ka bërë asnjë fushatë serioze, e cila do t’i bindte qytetarët të vaksinohen.

“Pse duhet të të besojmë ty! Çka prezenton ti! Qeveria nuk ka bërë asnjë fushatë serioze t’i bind shqiptarët të vaksinohen! Na duhen doktorë serioz që me fjalë të buta dhe të urta të bindin të vaksinohesh…Na duhen profesionistë që e dinë për çka është fjala! Se popullata nuk ka faj kësaj radhe… Na hodhi në zjarr qeveria, na tha ‘s’ka virus-dilni kënaquni’…shqiptarët dolën pa asnjë masë mbrojtëse, sepse i besuan qeverisë! Sot e gjithë ditën, gati asnjë qytetar nuk e ka bartur maskën as nuk e ka respektuar distancën!”, ka shkruar Berisha.

“Është frustruese, është depresive dhe dyshuese kur lexon nga mediat ndërkombëtare sesi tani as dy vaksina nuk mjaftojnë, sesi duhet vaksina e tretë…pastaj ku është e treta, mund të ndodh e katërta, e kështu me radhë! Ne lexojmë nga mediat ndërkombëtare se si filan infermierja gjermane ka mashtruar dhe në vend të vaksinave anti-covid, mijëra qytetarëve u ka dhënë ‘ujë e krip’… nejse me ndodh te ne këtu na dhënë ‘krip e kepë’ në vend vaksine…”, ka shkruar Berisha.

Ajo thotë se estrada nuk të bind t’ia dëgjosh këngët, e lëre më për marrjen e vaksinës.

Berisha ka shkruar se kjo Qeveri është e frikshme.