Kush janë talebanët dhe si erdhën ata në pushtet?

Njëzetë vite më parë një koalicion forcash ushtarake të drejtuar nga SHBA-të rrëzuan Talebanët nga pushteti në Afganistan. Por pas një ofensive ushtarake të muajve të fundit grupi islamik po rimerr pushtetin.

Kjo ndodh teksa SHBA po përgatitej të tërhiqte trupat ushtarake pas 20 vitesh luftë.

Sipas një marrëveshjeje të dakordësuar, tërheqja e plotë do të përmbushej më 11 shtator.

SHBA hyri në bisedime me Talebanët që në vitin 2018 për të diktuar një fazë tranzicioni dhe paqeje pas largimit të tyre.

Bisedimet u shtynë përpara në vitin 2020 kur palët arritën një marrëveshje në Doha të Katarit.

Në marrëveshje SHBA zotohej të tërhiqte trupat. Talebanët zotoheshin të mos i sulmonin, të mos lejonin ri-aktivizimin e grupit al-Qaeda, apo militantëve të tjerë ekstremistë si dhe të vijonin bisedimet me palët e tjera politike për drejtimin e vendit në paqe.

Vitin që vijoi talebanët vijuan të sulmonin forcat afgane të sigurisë dhe civilë në rrethina të vendit.

Situata përshkallëzoi muajt e fundit teksa të dielën ata morën edhe Kabulin.

Ardhja në pushtet

Fjala taleban vjen nga “talib” që në gjuhën afgane do të thotë “nxënës”.

Zanafilla e këtij grupi fundamentalist i ka bazat te lëvizjet fetare të nxitura nga Arabia Saudite në Pakistanin verior.

Kjo ndodhi në fillim të viteve 90-të pas zmbrapsjes së forcave sovjetike nga lufta në Afganistan

Ndikimi saudit në zonë shihej me interes gjeostrategjik duke pasur parasysh faktin se afganët janë të besimit suni dhe në kufi me Iranin që drejtohet nga shiitët.

Grupi fitoi pushtet duke u premtuar popullsive afgane që jetonin në veri të Pakistanit rikthimin e sigurisë, dhe vendosjen e një sheriati – sistemi ligjor islamik – me t’iu dhënë mundësia për të drejtuar vendin.

Nga juglindja e Afganistanit talebanët shtrinë shumë shpejt ndikimin në gjithë vendin.

Në shtator të vitit 1995 ata kapën disa krahina në kufi me Iranin dhe brenda vitit kryeqytetin, Kabul.

Ata rrëzuan regjimin e presidentit Burhanuddin Rabbani, një nga themeluesit e ushtrisë së muxhahedinëve që çliruan Afganistanin nga pushtimi sovjetik.

Brenda tre vitesh talebanët shtrinë kontrollin në pothuajse gjithë krahinat e vendit asokohe me rreth 20 milionë banorë, – aktualisht rreth 39 milionë.

Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Pakistani ishin tre shtetet e vetme që e njohën pushtetin e tyre – më vonë Pakistani e tërhoqi njohjen kur talebanët kërcënuan me trazira në zonat me afganë në veri të territorit të tyre.

Shumica i mirëpritën talebanët pasi ata në fillim patën sukses në luftën ndaj korrupsionit, ndëshkimit të shkelësve të ligjit dhe garantimit të sigurisë në rrugët tregtare.

Por ky sukses vinte si rrjedhojë e sistemit me rregulla dhe ndëshkime të ashpra të sheriatit si për shembull ekzekutimi publik i vrasësve dhe “të pamoralshmëve” apo dhe prerja e duarve hajdutëve.

Talebanët më vonë ndaluan televizionin, muzikën dhe kinemanë, si dhe shkollimin e vajzave mbi 12 vjeçe.

Sipas rregullave të tyre, djemtë duhet të mbajnë medoemos mjekër ndërsa vajzat të mbulohen tërësisht dhe të mos dalin të pashoqëruara.

Lidhja me Al-Qaedan

Pas sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001 në SHBA, ku humbën jetën mijëra njerëz, bota e zhvendosi vëmendjen te talebanët në Afganistan.

Talebanët u akuzuan se i patën mundësuar strehë dhe mbështetje aktivitetit të grupit terrorist al-Qaeda dhe liderit të tyre Osama Bin Laden.

Në tetor të vitit 2001, SHBA ngriti një koalicion ushtarak që dy muaj më vonë nisi ndërhyrjen në Afganistan dhe rrëzoi nga pushteti talebanët, që asokohe drejtoheshin nga Mullah Omar.

Omar së bashku me Bin Laden u larguan nga vendi së bashku me udhëheqës të tjerë shpirtërorë, të cilët u vendosën në Pakistan edhe pse Islamabadi zyrtar i mohoi vazhdimisht pretendimet.

Për rreth 10 vite me radhë talebanët organizuan sulme të forcave amerikane në zona të ndryshme të Afganistanit.

Në maj 2011, SHBA njoftoi se kishte ekzekutuar në një operacion ushtarak Bin Ladenin në Abbottabad rreth 150 kilometra në veri të Islamabadit.

Omar vdiq në gusht 2015 në një spital të Pakistanit, ndërsa një vit më vonë, pasardhësi i tij Mullah Mansur u vra nga amerikanët me një operacion me dron. Prej asaj kohe grupi drejtohet nga Mawlawi Akhundzada.

Pesë vite më vonë grupi duket më i fortë se më parë teksa ka marrë kontroll në shumicën e krahinave të Afganistanit në pak muaj.

Sipas të dhënave të NATO-s ata kanë rreth 85 mijë trupa.