Përfshihen nga flakët Sarajet e Toptanit, historia e ndërtesës ‘monument kulture’ në qendër të Tiranës

Sarajet e Toptanëve, godina monument kulture në qendër të Tiranës është përfshirë nga flakët mbrëmjen e kaluar.

Ende nuk dihet shkaku i zjarrit, por dyshohet e qëllimshme. Zjarrvënësin e panë klientët e një lokali aty pranë teksa iku me vrap.

Forcat zjarrfikëse kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes ku bënë të mundur shuarjen e zjarrit.

Kur u ndërtuan Sarajet e Toptanëve

Sarajet u ndërtuan rreth viteve 1833-1840 dhe janë një nga të paktat saraje feudalësh të ruajtura në qytetet e Shqipërisë. Ato përbëhen nga 32 ambiente në stilin oriental, të zbukuruara me dekoracione të ndryshme. Sarajet përbëjnë një kompleks arkitektonik me mure, oborre, puse, rrugë, porta të mëdha, banesa dhe ambiente ndihmëse. Rrethuar me mure masive të lartë prej guri, ky kompleks krijon një fortifikim, duke marrë pamjen e një kështjelle të vogël. Këto ndërtime, karakteristike për shtresën e feudalëve, u përhapën nga gjysma e dytë e shek. XIX në trevën e Tiranës.

Banesa me dy kate, e ndërtuar nga mjeshtrat dibranë, është vendosur mbi një parcelë të rrafshët me orientim nga jug-lindja, duke i drejtuar diellit pamjen kryesore. Ajo paraqet interes nga ana ndërtimore, si për kompozimin funksional, trajtimin arkitektonik-dekorativ, ashtu dhe të lidhjes së saj në një ansambël të vetëm me ndërtimet përreth. Sarajet e Selim Pashë Toptanit njihen me emrin e dhëndrit të tij Servet Bej Libohovës dhe janë Monument Kulture në mbrojtjen e shtetit.