Barcelona, 481 milionë euro humbje. Alarmi i Laportës: Rrezikon të falimentojë

Largimi i Lionel Messit ishte vetëm konfirmimi i situates së vështirë te Barcelona. Katalanasit rrezikojnë seriozisht falimentimin për shkak të borxheve dhe humbjeve. Gerard Pique reduktoi pagën për të bërë të mundur regjistrimin e lojtarëve të rinj në kampionat, mes tyre Depay dhe kuqeziu Rey Manaj. Blaugranat janë në krizë të plotë ekonomike, me drejtuesin e klubit, Laporta që zbuloi situatën dramatike dhe akuzoi ish-presidentin Bartomeu.

“Administrimi i mëparshëm i Barcelonës është i pajustifikueshëm. Na ka lënë në një situatë ekonomike shqetësuese dhe një realitet dramatik financiar. Më 21 mars 2021, borxhi ishte 1 miliard e 350 milionë euro. Akuzat e Bartomeut janë të pavërteta, një tentativë e dëshpëruar që t’i shpëtojë përgjegjësive. Pasi fitova zgjedhjet, u detyrova të merrja hua për të paguar pagat”, tha Laporta.

Laporta shpjegoi me detaje situatën ekonomike te katalanasit, me përllogaritjet e 12 muajve të fundit: “Kemi 1 miliard e 136 milionë euro shpenzime dhe 655 milionë euro të ardhura. Gjithashtu, kemi humbur rreth 91 milionë euro për shkak të pandemisë. Sipas këtyre të dhënave, do ta mbyllim vitin me 481 milionë euro humbje. Aktualisht, vetëm shpenzimet për pagat janë më të larta se të ardhurat. Në drejtimin e tij, Bartomeu rriti pagat në mënyrë të pajustifikueshme. Gjithashtu, zbuluam shpenzime prej 10 milionë eurosh për ndërmjetësit në transferimin e lojtarëve me vlerë 40 milionë euro”.