Koronavirusi në Shqipëri, rritje e ndjeshme e rasteve të reja. Dy humbje jete në 24 orët e fundit

Ministria e Shëndetësisë bën me dije se në 24 orët e fundit janë regjistruar dy viktima dhe 451 raste të reja me Covid-19, një rritje e ndjeshme e krahasuar me dje, kur ishin shënuar 200 raste të reja.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 55 persona.

Deklarata e Ministrisë së Shëndetësisë:

Ministria e Shëndetësisë i bën sërish apel qytetarëve të vaksinohen sa më parë, për të mbrojtur veten dhe njerëzit e afërt dhe për të frenuar përhapjen e virusit të rrezikshëm.
Muaji Gusht do të jetë i hapur për vaksinimit antiCOVID për çdo qytetar +18 vjeç.
Vaksinat antiCOVID reduktojnë mundësinë e infektimit dhe shmangin në shkallë të lartë hospitalizimet dhe fatalitetet.
Nëse dyshoni se jeni i prekur nga COVID19 apo keni shenja të sëmundjes, izolohuni menjëherë dhe kontaktoni me mjekun tuaj të familjes për t’u testuar ose telefononi Urgjencën Kombëtare në numrin unik 127.

Ju informojmë për situatën në 24 orët e fundit, si vijon:
Janë kryer 5135 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë me Covid19, 451 qytetarë.

Aktualisht janë 3375 pacientë aktivë me COVID19 në të gjithë vendin.
Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim 54 pacientë. Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, në 24 orët e fundit kanë ndërruar jetë 2 qytetarë: një qytetar 70 vjeç nga Vlora dhe një qytetar 77 vjeç nga Durrësi. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale u shpreh ngushëllimet familjarëve.

Janë shëruar 55 qytetarë gjatë 24 orëve të fundit, duke e çuar numrin e të shëruarve në 130,755 që nga fillimi i epidemisë.