QKMK fshin postimin, nuk ka masa për Kosovën e Shqipërinë, mund të shkoni lirshëm në Mal të Zi

Qytetarët e Kosovës, si vend fqinj, mund të hyjnë në Malin e Zi, pa pasur nevojë për ndonjë provë, si testi negativ i Covid-19 apo dokumenti i vaksinës. Ky është vendimi i Qeverisë malazeze. Më herët Qendra Kosovare për Menaxhimin e Kufijve lëshoi njoftim se kosovarëve u duhet dëshmi që s’janë të infektuar me Covid, por më pas e fshiu atë.

Qeveria e Malit të Zi i ka miratuar masat e reja Anti Covid, që do të hyjnë në fuqi nga 24 gushti.

Sipas njoftimit të tyre, hyrja e qytetarëve të shteteve fiqnje mbetet e pakushtëzuar dhe se në kufijtë e Malit të Zi nuk kërkohet asnjë dokument që lidhet me pandeminë, përfshirë testin e koronavirusit apo certifikatën e vaksinimit.

Kufijtë janë të hapur vetëm për shtetet fqinje: Kosovën, Shqipërinë, Serbinë, Kroacinë, Bosnja dhe Hercegovina e Maqedoninë e Veriut

Qytetarët e vendeve të tjera lejohen të hyjnë në Mal të Zi, vetëm nëse kanë një nga katër provat e mëposhtme:

-Të jetë plotësisht i vaksinuar ose i vaksinuar me një dozë të vetme të vaksinës COVID-19;

-Të posedojë një test negativ PCR për SARSCov-2 jo më të vjetër se 72 orë;

-Të ketë dëshmi se personi e ka kaluar COVID-19 (se kanë kaluar jo më pak se 14 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë që nga një PCR pozitiv ose test i shpejtë i antigjenit);

-Të posedojë një test negativ të shpejtë të antigjenit për SARSCov-2 jo më të vjetër se 48 orë.

“Nëse personat, pavarësisht nëse janë shtetasit tanë apo të huaj, me vendbanim të përhershëm në Malin e Zi, nuk posedojnë asnjë nga katër provat, ata dërgohen në një izolim katërmbëdhjetë ditor i cili mund të përfundojë pas ditës së gjashtë për të hyrë në Mal të Zi me një test negativ PCR. “

“Nga ana tjetër, në Malin e Zi vazhdojnë pa kushte të hyjnë qytetarët nga Serbia, Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia Veriore”, shpjegoi Galic.

Më herët Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar e Kosovës, në faqen e saj në Facebook ka njoftuar për vendimin e Malit të Zi duke thënë se “për të hyrë në Malin e Zi secili qytetar duhet të ketë me vete një nga katër provat, dëshmi të vaksinimit, testin negative apo atë antigjen”.

Kjo Qendër nuk kishte sqaruar në njoftimin e saj se ky rregull nuk vlen për qytetarët e Kosovës.

Postimi më pas është fshirë nga faqja e këtij institucioni.