Talebanët, ultimatum Amerikës: Të largoheni deri më 31 gusht

Talebanët nuk do të lejojnë zgjatje të misionit të evakuimit përtej 31 gushtit. Ndërsa presidenti amerikan Joe Biden, përballet me trysni në rritje për të zgjatur operacionin me qëllim evakuimin e të gjithë qytetarëve që duan të largohen, Talebanët i japin ultimatum Shteteve të Bashkuara.

Zëdhënësi Suhail Shahin deklaroi se 31 gushti ishte një vijë e kuqe. “Presidenti Biden ka thënë se trupat do të largohen deri në këtë datë, dhe zgjatja e misionit nënkupton zgjatje të pushtimit të Afganistanit”, pohoi zyrtari taleban, i cili paralajmëroi për pasoja nëse kushtet do të ndryshonin.

Kryeministri britanik Boris Johnson kishte menduar të shfrytëzonte mbajtjen e samitit të g7-tës të martën, për ti kërkuar presidentit Biden, qëndrimin e trupave amerikanë përtej fundit të muajit, për ti dhënë kohë evakuimeve nga Kabuli.

Pas 24 orëve relativisht të qeta rreth aeroportit, situata u ndez sërish të hënën. Ushtria gjermane tha se një pjesëtar i forcave të sigurisë afgane u vra gjatë të shtënave me armë në hyrjen veriore të aeroportit. Dinamika e ngjarjes nuk është ende e qartë, por siç thuhet në një deklaratë 3 afganë të tjerë ishin plagosur nga agresorë të paidentifikuar