“Grupi i rezistencës” thotë se nuk u mposhtën për 40 vjet nga askush dhe se ka mijëra luftëtarë të gatshëm për të luftuar kundër talebanëve

Një grup i rezistencës anti-talebanë në Afganistan thotë se ka mijëra njerëz të gatshëm për të luftuar.

Ali Nazary, kreu i marrëdhënieve me jashtë për Frontin e Rezistencës Kombëtare të Afganistanit (NRF), i tha BBC-së se ata duan të vazhdojnë negociatat paqësore, përcjell Telegrafi.

Por, shtoi ai, “nëse kjo dështon … atëherë ne nuk do të pranojmë asnjë lloj agresioni”.

Ndërkohë, talebanët thonë se kanë rrethuar fortesën e grupit të luginës Panjshir dhe i kanë vënë nën rrethim.

Figurat e rezistencës kanë thënë gjithashtu se talebanët tani po përparojnë në rajon, në verilindje të kryeqytetit Kabul.

Amrullah Saleh, i cili ishte nënkryetar në qeverinë e rrëzuar nga talebanët dhe tani është i vendosur në Panjshir, shkroi në Twitter se talebanët kishin grumbulluar forca pranë hyrjes në luginë.

Rajoni Panjshir – në veçanti Lugina Panjshir – është i famshëm për luftën me sukses të pushtimeve, përfshirë forcat sovjetike gjatë luftës sovjeto-afgane nga 1979 në 1989 dhe talebanët në vitet 1990.

Tani, rajoni është ende nën kontrollin e NRF, e cila u themelua nga Ahmad Massoud – djali i atij që njihet si heroi i rezistencës afgane Ahmad Shah Massoud.

Ahmad Shah Massoud ishte një komandant gueril i fuqishëm i cili udhëhoqi rezistencën kundër BRSS, dhe pastaj vazhdoi të drejtonte krahun ushtarak të qeverisë afgane kundër milicive rivale në vitet 1990.

Pasi talebanët morën kontrollin, ai ishte komandanti kryesor i opozitës kundër sundimit të tyre, deri në vrasjen e tij në vitin 2001.

Nazary ka thënë për BBC se Panjshir kishte pasur një fluks të kohëve të fundit të forcave lokale të rezistencës nga i gjithë vendi, të cilët u janë bashkuar luftëtarëve që ata tashmë i kishin stërvitur në vend.

Ai tha se grupi kishte “mijëra forca gati për rezistencën” – megjithëse BBC nuk e ka verifikuar këtë pretendim në mënyrë të pavarur.

“Megjithatë, ne preferojmë të ndjekim paqen dhe negociatat para çdo lloj lufte dhe konflikti”, ka shtuar zëdhënësi, përcjell Telegrafi.

Siç vë në pah BBC, qëllimi përfundimtar i NRF është një formë e decentralizuar e qeverisjes në vend.

“NRF beson se për paqen e qëndrueshme ne duhet të adresojmë problemet themelore në Afganistan”, vazhdoi ai. “Afganistani është një vend i përbërë nga pakica etnike, askush nuk është shumicë. Është një shtet multikulturor, kështu që ka nevojë për ndarjen e pushtetit – një marrëveshje për ndarjen e pushtetit ku të gjithë e shohin veten në pushtet”.

“Dhe ne e kemi provuar veten, rekordi ynë në të kaluarën [40 vjet] ka treguar se askush nuk është në gjendje të pushtojë rajonin tonë, veçanërisht Luginën Panjshir”.