Rama për projektin e aeroportit të Vlorës: Në fazën përfundimtare, do shtojmë avionët e Air Albania

Kryeministri Edi Rama ceku disa nga fushat me nota pozitive në mandatin e dytë qeverisës. Ai u ndal tek Infrastruktura duke numëruar si sukses hapjen e aeroportit të Kukësit dhe projektin për ndërtimin e atij në Vlorë dhe Sarandë. Rama u shpreh se me largimin e pandemisë do shtojnë avionët e Air Albania-s.

“Fatkeqësisht, pandemia dhe hallet e mëdha që erdhën nuk na dhanë mundësinë të investonim sa donim për turizmin. Si p.sh plagët janë të hapura në disa raste kutërbuese të plehrave në disa zona turistike. Dhe të tjera mangësi që duhen shqyrtuar me shpejtësi. Në disa fusha nuk ka krahasim jo me tetë por me katër vite më parë. Për t’u bërë kampionët e Ballkanit duhet shumëfishim i luftës për mbrojtjen e mjedisit.

Falë punës së kësaj qeverie kemi krijuar kushte për zhvillimin ekonomik të vendit në fushën e Infrastrukturës. Skavica nuk është më një ëndërr në sirtar. Jemi në fazën e shqyrtimit të projektit të Tecit të Vlorës në portë hyrëse.

Falë punës së përkushtuar të dikasterit përkatës, sot Kukësi është bërë me aeroport ndërkombëtar. Puna për projektin e aeroportit të Vlorës ka hyrë në fazën përfundimtare. Gara për aeroportin e Sarandës është hapur. Shqipëria sot ka linjën e saj të flamurit Air Albania e cila i ka rezistuar pandemisë dhe me daljen nga pandemia do rrisë numrin e avionëve.

Shërbimi i transportit rrugor janë kthyer në shembull inkurajues. Edhe në aspektin e infrakstrukturës dhe shërbimit të transportit kemi arsyet të besojmë se në qeverinë e re do hedhim hapa drejt Shqipërisë së vitit 2030. Në bujqësi kemi mundësuar dyfishimin e tokës që punohet. Si kudo edhe në bujqësi duhet një punë edhe më e madhe drejt objektivit madhor që Shqipëria e 2030-s të jetë kampione në rajon.

Kjo qeveri ka çuar para punën për reformimin e arsimit. Jam krenar që disa plagë të tmerrshme në dukje të pashërueshme si rekrutimi partiak i mësuesve i përkasin të shkuarës falë kësaj qeverie. Gjendjen e universiteteve do e adresojmë përmes rektorëve. Nuk jam krenar as për gjendjen e lëvizjes sportive shkollore apo universitare. Do merremi me këtë dhe aspekte të jetës së të rinjve dhe fëmijëve tanë”, tha Rama.