Isa Mustafa: Asociacioni s’duhet të themelohet

Isa Mustafa, e nënshkroi vetë më 25 gusht në cilësinë e kryeministrit të Kosovës marrëveshjen që nënkuptonte zbatimin e kësaj pike dhe tri të tjerave që u arritën atë kohë në Bruksel.

Por, tash fiks 6 vjet prapa, ish-kryeqeveritari po thotë se Asociacioni është më mirë të mos bëhet.

“Nëse gjendet rrugë ligjore dhe kushtetuese për ta evituar si obligim ndërkombëtar, të cilin e ka marrë Kosova me Ligj, më mirë do të ishte të mos themelohej”, theksoi Mustafa.

Asociacioni ishte paraparë të formohet me një marrëveshje të vitit 2013, të nënshkruar midis Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.

Në vitin 2015, dy vendet, nën ndërmjetësimin e BE-së, kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij.

Por, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, edhe pse ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

BE-ja edhe Amerika vazhdimisht që nga atëherë i kanë kërkuar Kosovës zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin

Përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor i SHBA-së, Mathew Palmer, para gazetarëve në Prishtinë pati thënë se për statutin e tij duhet të merren vesh pala kosovare dhe ajo serbe.

E emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, u tregua më i ashpër, duke kërkuar themelimin e Asociacionit, madje edhe nëse kjo nënkupton ndryshim të Kushtetutës së Kosovës.

Deklaratat e kësaj natyre të korit ndërkombëtar diplomatik, s`po ia mbushin syrin ish-kryeministrit Mustafa.

“Unë nuk po shoh ndonjë përkushtim të BE-së dhe të SHBA-së për dialogun dhe për zbatimin e marrëveshjeve, përpos ndonjë deklarate sporadike”, tha Mustafa për “Front Online”.

Vetë Mustafa sa udhëhoqi me ekzekutivin u përballë me protesta e kritika të forta rreth Asociacionit.

Ato i organizonte, sa ishte në opozitë, partia e kryeministrit Kurti, Lëvizja Vetëvendosje.

Ky subjekt prej vitit 2015 deri më 2018 kishte hedhur thuajse në çdo seancë të Kuvendit gaz lotjsjellës, me qëllim që të parandalonte ratifikimin e kësaj marrëveshjeje dhe asaj tjetrës, demarkacionit me Malin e Zi.

Asociacioni serbe parashihte që të mbledhte rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë ku shumica e popullsisë janë serbë, të cilat janë Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.

Asociacioni kishte për qëllim të përfaqësonte interesat kolektive të këtyre lokaliteteve në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban e rural si dhe të ekonomisë.

Sipas marrëveshjes, Asociacioni do të krijohej me statut dhe do të themelohet mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës. Do të kishte kryetar, zëvendëskryetar, Asamble dhe Këshill.