Stafi i Klinikës Infektive refuzon shtesat prej 60 eurove të ndara nga Qeveria: S’kemi nevojë për lëmoshë

Punëtorët e Klinikës Infektive i kanë dërguar letër Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me vendimin për ndarjen e 60 eurove shtesa për ta.

Stafi i kësaj klinike ka thënë se refuzojnë lëmoshën e Qeverisë së Kosovës dhe se në betimin e Hipokratit ata do të vazhdojnë të luftojnë kundër pandemisë.

Stafi e ka konsideruar si vendim denigrues dhe fyes ndarjen e shtesave prej 60 eurove, derisa kanë thënë se nuk kanë nevojë për lëmoshë.

“Stafi i Klinikës Infektive konsideron se vendimi i fundit për mbështetje financiare për tre muaj në vijim me nga 60 euro është vendim denigrues dhe fyes. Personeli shëndetësor dhe stafi mbështetës i Klinikës Infektive nuk ka nevojë për lëmoshë, por për përkrahje të duhur dhe të merituar nga Qeveria e Kosovës. Refuzojmë lëmoshën e Qeverisë së Kosovës dhe nën betimin e Hipokratit, do të vazhdojmë të luftojmë kundër COVID-19 me të gjitha forcat tona sepse pacienti ka qenë dhe vazhdon të mbetet i shenjtë”, thuhet në letër.