Kurti shkarkon zëvendëskryeshefin e AUV’it, thotë se ligji s’e njeh këtë pozitë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shkarkuar zëvendëskryeshefin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), Naser Krasniqin, pasi sipas kryeministrit, kjo pozitë nuk kishte bazë ligjore.

Sipas një njoftimi për media, në arsyetim thuhet se Ligji për Zyrtarët Publikë nuk parasheh pozitë të zëvendëskryeshefit të AUV-it, pozitë të cilën e ka mbajtur Krasniqi dhe në bazë të së cilës iu ka besuar udhëheqja e kësaj Agjencie.

“Rrjedhimisht, me qëllim të sigurimit të zbatimit të rendit dhe ligjit, kryeministri ka shfuqizuar Vendimin që ka humbur bazën ligjore dhe ka caktuar ushtrues të ri të detyrës të kryeshefit të AUV-it”, thuhet në komunikatë.

Pas këtij vendimi, kryeministri ka autorizuar Flamur Kadriun, aktualisht drejtor i Drejtoratit për Shërbimin Publik brenda AUV-it, që të kryejë detyrat dhe përgjegjësitë e kryeshefit të kësaj Agjencie, deri në shpalljen e rezultateve të konkursit për emërimin e ri në krye të AUV-it.