Basha paralajmëron aksion ndaj qeverisë: Do luftojmë me gjithë forcën për njerëzit

Lideri i PD, Lulzim Basha paralajmëron betejë të fortë kundër qeverisë. Nga mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Basha deklaroi se pavarësisht masakrës zgjedhore, PD duhet të vazhdojë të luftojë për qytetarët shqiptarë.

Teksa tha se ndjehet krenar për atë që ka arritur PD-ja, pa përdorur asnjë mjet të paligjshëm, pa blerë vota, pa shantazhuar njerëzit, pa u ndotur me krimin dhe llumin e shoqërisë, Basha u kërkoi demokratëve të mbajnë kokën lart.

“Beteja të mëdha kemi bërë gjatë këtyre viteve, e të tjera kemi përpara, pasi ajo që ishte e vërtetë para 25 prillit është e vërtetë edhe sot. Shqipëria ka ngecur në vend numëro, peng e qeverisë më të korruptuar në mbarë Europën, që punon kundër interesave të shumicës dërrmuese të shqiptarëve.

Masakra zgjedhore nuk u dha asnjë zgjidhje qytetarëve. Problemet e tyre nuk janë më të vogla, por më të mëdha, nevoja e tyre për një jetë të më të mirë nuk është përmbushur, por kërcënohet nga i njëjti model që shkaktoi varfërimin dhe largimin e më e të paktën 500 mijë shqiptarëve.

Prandaj, përballë zgjidhjes së munguar dhe ndryshimit të mohuar përmes atyre mjeteve që ju i njihni më mirë se kushdo tjetër, ne kemi përgjegjësinë për të luftuar për njerëzit e këtij vendi, për të qenë pranë tyre për problemet e vogla e të mëdha të familjeve shqiptare, për të kapërcyer bashkarisht vështirësitë dhe për të qenë zëri i tyre përballë çdo padrejtësie.

Prandaj duhet të luftojmë me gjithë forcën tonë për ta mbajtur gjallë këtë shpresë dhe të jemi krenarë për atë çfarë kemi arritur, pa përdorur asnjë mjet të paligjshëm, pa blerë vota, pa shantazhuar njerëzit, pa u ndotur me krimin dhe llumin e shoqërisë, siç ka bërë kundërshtari ynë, por vetëm me forcën e besimit tonë, duke mishëruar vlerat për të cilat kjo Parti ka lindur dhe jeton.

Ndaj mbajeni kokën lart”, tha Basha.

Basha u shpreh se reformimi i PD-së bëhet në funksion suksesit të betejës kundër këtij regjimi të korruptuar dhe për të sjellë ndryshimin që njerëzit presin me padurim

“Në 25 prill, shqiptarët na besuan dhe na dhanë forcë. Po ashtu demokratët, që ne sot përfaqësojmë në këtë sallë, na besuan në proceset e brendshme dhe kërkuan vijimin e përballjes për të shpëtuar demokracinë dhe për të sjellë ndryshimin në Shqipëri. Ne kemi detyrën që këtë vullnet të shqiptarëve dhe të demokratëve ta kthejmë në aksion politik.

Prandaj sot, jemi mbledhur për të përfunduar këtë fazë të parë të reformimit tonë të brendshëm në funksion të suksesit të betejës tonë kundër këtij regjimi të korruptuar, dhe për të sjellë ndryshimin që njerëzit presin me padurim dhe që ju mohua dhunshëm në 25 prill.”