Alarmi i shkencëtarëve: Dubai e i gjithë rajoni do bëhen të pajetueshëm nga i nxehti!

Qytete të Gjirit si Dubai janë të njohura për verën përvëluese.

Por ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet e klimës mund ta ndryshojnë situatën për të gjithë rajonin e pasur me naftë, dhe ta bëjnë të pajetueshëm. Temperaturat ditore në këtë metropol mbërrijnë rregullisht 40 gradët Celsius për disa muaj të vitit, dhe lagështia në ajër e përforcon nxehtësinë e ditëve atje.

Por një raport i ri nga Paneli Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshimet Klimatike tregoi se klima po ndryshon më shpejt nga sa mendohej, e këtu, rol të madh ka dhe aktiviteti njerëzor. Edhe tani, rezidentët e Dubait shpesh largohen drejt vendesh më të freskëta gjatë muajve më të nxehtë, ndërsa shumë e kalojnë ditën në ambjente me ajër të kondicionuar.

Emiratet e Bashkuara Arabe janë një prej vendeve më të nxehta të botës dhe përgjatë viteve të fundit kanë përdorur mjete ajrore për mbjelljen e reve dhe prodhimin e shiut artificial. Por ekspertët paralajmërojnë se situata në rajon do të përkeqësohet me avancimin e ndryshimeve të klimës. Niveli i nxehtësisë do të rritet thotë Elfatih Eltahir, profesor i hidrologjisë dhe klimës në Institutin e Teknologjisë në Masaçusets.

Me temperatura dhe lagështinë e lagështisë në ajër më të larta deri në fund të këtij shekulli, disa pjesë të Gjirit do të përjetojnë periudha të “kushteve të stresit të nxehtësisë të cilat do të jenë të papajtueshme me mbijetesën njerëzore”, paralajmëroi ai.