Zbulohet marrëveshja e fshehtë, si talebanët shoqëruan në aeroport amerikanët

CNN raporton se ushtria amerikane negocioi një marrëveshje të fshehtë me talebanët, që çoi në shoqërimin e grupeve amerikane në portat e aeroportit të Kabulit, nga vetë luftëtarët që tashmë kontrollojnë vendin.

Një nga zyrtarët zbuloi se forcat e operacioneve speciale amerikane ngritën një “portë sekrete” në aeroport dhe krijuan “qendra thirrjeje” për të udhëhequr amerikanët përmes procesit të evakuimit.

Zyrtarët thanë se amerikanët ishin njoftuar që të mblidheshin në “pikat e grumbullimit” të paracaktuar pranë aeroportit, ku talebanët do të mblidhnin amerikanët, do të kontrollonin kredencialet e tyre dhe do t’i çonin në një distancë të shkurtër në një portë të drejtuar nga forcat amerikane.

Të gjithë këto operacione u zhvilluan në sekret të plotë për shkak të ndjeshmërisë së çështjes si dhe hezitimit të talebanëve për të vepruar nga frika e kërcënimeve për sulme nga militantët e ISIS-K.

Gjatë evakuimit, zyrtarët e administratës Biden theksuan se talebanët po bashkëpunonin dhe zyrtarë të lartë deklaruan se ishin zotuar të siguronin “kalim të sigurt” për amerikanët.

Misionet e përcjelljes talebane ndodhën “disa herë në ditë”, sipas njërit prej zyrtarëve. Një nga pikat kryesore të grumbullimit ishte një ndërtesë e Ministrisë së Brendshme, jashtë portave të aeroportit, ku forcat amerikane aty pranë ishin në gjendje të vëzhgonin afrimin e amerikanëve.

Amerikanët u njoftuan nga mesazhe të ndryshme se ku të mblidheshin. Që nga e hëna kur SHBA përfundoi tërheqjen e saj, më shumë se 122,000 njerëz në total ishin transportuar me aeroplan nga Aeroporti Ndërkombëtar Hamid Karzai dhe më shumë se 6,000 civilë amerikanë u evakuuan. Megjithatë, 13 anëtarë të shërbimit amerikan dhe më shumë se 170 afganë u vranë në një shpërthim kamikaz në aeroport javën e kaluar.