Rruga Kijevë-Zahaq, Aliu akuzon ish-Qeverinë Haradinaj për parregullsi në shpronësimin e pronave

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu ka akuzuar sot ish-Qeverinë Haradinaj për parregullsi në procesin e shpronësimit të pronave përgjatë rrugës Kijevë-Zahaq.

Ai në një konferencë për media ka thënë se procedurat e shpronësimit kanë ndodhur përtej nevojave të projektit.

Aliu tha se borxhi i shtetit lidhur me shpronësimet është 182 milionë euro.

Sa i përket marrëveshjes së Uashingtonit të arritur një vit më parë, Aliu tha se Kosova ka hyrë në obligime për ndërtimin e rrugës së paqes.

“Në pranverë ka mundësi të mira për fillimin e ndërtimit të autostradës Besi-Merdare”, tha Aliu.

Për vonesën e ndërtimit dhe procesin e ngadaltë të rrugës Podujevë-Prishtinë, ai tha se edhe ky projekt ishte në vështirësi të realizimit si pasojë e shpronësimeve.

Ndryshe, kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka reaguar dje ndaj akuzave të ministrit të Financave Hekuran Murati për keqpërdorime në projektin e autostradës Prishtinë-Pejë.

Murati ka paraqitur disa të gjetura që sipas tij flasim për keqpërdorime prej 43 milionë euro, duke thënë se ish-Qeveria Haradinaj falsifikoi vlerën e shpronësimeve për rrugën Kievë-Zahaq.

Në reagimin e tij, Haradinaj akuzat e ministrit Murati i ka quajtur etiketime të ulëta me qëllim për arsyetuar dështimet e qeverisjes Kurti.