Deputeti i ri i PS/ Ish-ushtaraku që ishte me mision dy herë në Afganistan

Lëvizje e beftë u zhvillua brenda PS-së, ku Lefter Koka, bëri publike dorëzimin e mandatit të deputetit të fituar në qarkun e Durrësit.

Largimi i tij ka shkaktuar jo pak lëvizje dhe se kjo sjell edhe në mënyrë automatike dhe përmbysje të listës, pasi në lojë futet edhe votat e fituara në mënyrë personale. Ana Dhamo ishte kandidatja që kishte 2013 vota dhe e renditura e nënta, por Deliu kishte përfituar më shumë vota se kandidatja socialiste.

Sipas burimeve pranë PS-së, mandatin e lënë nga Lefter Koka e përfiton Denis Deliu pasi ka marrë shumë vota. Fillimisht u përfol se postin mund ta përfitonte një grua, por votat preferenciale dhe ligji zgjedhor nuk e mundësojnë një gjë të tillë.

Deliu ka qenë pjesë e misionit në Afganistan ku dhe mbeti i vrarë kolegu i tij Feti Vogli. Ai ka marrë pjesë dy herë me misione në Afganistan. Po ashtu ai ka marrë shumë vlerësime nga institucionet vendase dhe ndërkombëtare, ndërkohë gëzon mbështetjen dhe simpatinë e qytetarëve krutanë për qarkun e Durrësit ku edhe mori 2848 vota. Ai aktualisht është shefi i sigurisë së organeve të Vettingut.

Ish-oficeri i forcave speciale të FA, Denis Deliu, ka folur për ardhjen e afganëve në Shqipëri. Duke qenë se ka shërbyer dy misione në Afganistan, ai thotë se marrja e pushtetit nga talebanët pas 20 vitesh është shumë e trishtë.

Në një intervistë televizive të kohëve të fundit, ai u shpreh dhe me natyrën e talebanëve. Deliu u shpreh se para disa vitesh shqiptarët ishin si afganët dhe se pritja e afganëve në vendin tonë është vendimi më i duhur për tu marrë për një popull në nevojë. Në Report tv, ai shtoi se refugjatët afganë nuk duhet të shihen si rrezik dhe se shteti ynë i ka të gjitha kapacitetet për t’i mbikëqyrur dhe monitoruar.

Për ish-oficerin, talebanët kanë evoluar shumë në teknikat e tyre të luftës. Si një person që ka luftuar kundër tyre, ai tregon se ata arrijnë të infiltrohen brenda policisë afgane, administratës dhe qeverisë për të marrë informacione dhe vepruar në momentin e duhur.

“Ata kanë eksperiencë në luftë, pasi prej vitesh trajnohen nga grupe sekrete nga Rusia, Kina, Arabia Saudite e Pakistani. Mbetet një grup i rrezikshëm për shkak të taktikave që përdorin, kanë evoluar në teknikat e tyre. Në fillim përdorën pritat ndaj misioneve tona dhe kur panë që dolën të humbur nisën të përdornin minat. Më pas eksplozivet me telekomandë dhe sot kanë evoluar duke u infiltruar brenda policisë e qeverisë afgane. Bashkëpunëtorët tanë që para 20 vitesh kërcënoheshin nga talebanët se do të vriteshin bashkë me familjet e tyre sapo të vinin në pushtet”, tha Deliu.