Delta-s nuk iu ndal turri, për 4 ditë 100 të vdekur nga Covid-19

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, para rreth dy javësh shkroi se variantit “Delta” ia ka ndalur turrin. Ironikisht, statistikat prej asaj dite e thanë krejt të kundërtën.

Njëqind persona kanë vdekur vetëm në katër ditët e fundit nga Covid-19 në Kosovë. Për 14 ditë, kanë humbur jetën 255 persona.

Këto janë shifrat më të larta të regjistruara brenda një periudhe kohore, prej kur ka nisur pandemia. Nëse përshkruhet me termat e kryeministrit Albin Kurti, përhapja e variantit “Delta”, rrjedhimisht rastet e infektimeve dhe të vdekjeve nuk ishin progresive, por eksplozive.

Ndërkaq, “eksploziv” nuk ka qenë vaksinimi. Ndonëse për disa ditë gushti, kur shifrat e vdekjeve u rriten, janë vaksinuar mbi 20 mijë persona brenda ditës, kjo nuk ka rritur shumë përqindjen e totalit të vaksinimeve. Kosova akoma qëndron pas gjithë shteteve të Ballkanit Perëndimor me përqindjen e popullësisë së vaksinuar me një dozë dhe me dy. Sipas të dhënave në Ministrisë së Shëndetësisë dhe sipas të dhënave të regjistruara në covidwax, Kosova ka të vaksinuar rreth 15 për qindëshin e popullsisë me dy dozat. Me dozën e parë janë të vaksinuar mbi 29 për qind.

Megjithatë, sipas të dhënave të Covidëax, ka shpresë që Kosova ta vaksinojë 70 për qindëshin e popullit më shpejt se vendet e tjera të rajonit.

Në krejt këtë situatë, nga njëra anë fajësohet Qeveria për keqmenaxhim, pasi gjithë verën ishte hapur çdo gjë. Disa prej përkrahësve të Qeverisë Kurti fajësojnë qytetarët që nuk u vaksinuan dhe nuk u mbrojtën.

Më 29 gusht të këtij viti, u regjistruan 36 viktima brenda 24-orëve. Ky ishte rekordi prej marsit të vitit 2020, kur në Kosovë janë shënuar rastet e para të infektimeve me Covid-19.

Vetëm një javë më parë, më 22 gusht, IKSHPK-ja po njoftonte qytetarët se variantit “Delta” ia kanë ndaluar turrin. Nuk dihej saktë se cfarë po nënkuptonte kjo dhe në fakt, të pakta ishin njohuritë edhe për atë që mund ta shkaktojë “Delta”.

Pak a shumë, u deshën dy javët e fundit të gushtit për ta kuptuar se çfarë mund të bënte ky variant i virusit.

Ministria e Shëndetësisë sot ka njoftuar se në 24-orëshin e fundit kanë vdekur 32 persona, ndërsa janë infektuar 1612 persona.