Krasniqi i përgjigjet LDK-së: Ta shkurtojmë kohëzgjatjen e fushatës, por jo debatet televizive

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka kthyer përgjigje kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili sot gjatë ditës ka propozuar që fushata zgjedhore prej 30 ditësh të zvogëlohet në 10 ditë.

Krasniqi ka thënë se PDK-ja është e gatshme ta jap kontributin e saj sa i përket organizimit të fushatës zgjedhore

“Kjo tragjedi që po kushton me dhjetëra jetë të humbura të qytetarëve të Republikës së Kosovës për çdo ditë, na ka vënë e duhet të na vejë të gjithëve në lëvizje, duke parë përtej dallimeve politike, me qëllim që secili nga ne të përpiqemi të kontribuojmë në tejkalimin e kësaj situate të rëndë. Aq më tepër, situata na ndërgjegjëson që të përpiqemi të kontribuojmë në parandalimin e përshkallëzimit të mëtejmë të kësaj gjendjeje”, ka shkruar lideri i opozitës Memli Krasniqi në letrën e kthyer Abdixhikut.

Krasniqi po ashtu ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës, konsideron se shëndeti i qytetarëve të Kosovës është prioritet themelor, i cili duhet të mbrohet e të sigurohet para çdo agjende tjetër.

“Në vijim të letrës suaj, Partia Demokratike e Kosovës ndanë mendimin se, ndonëse është jashtëzakonisht vitale për demokracinë tonë që të sigurojmë mbarëvajtjen e zgjedhjeve në kohën e përcaktuar, si dhe nën masa që garantojnë transparencë të plotë dhe mundësi për pjesëmarrje aktive të qytetarëve në procesin e votimit, kjo duhet të bëhet në mënyrë të sigurt dhe duke garantuar mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Andaj, ne mendojmë se kohëzgjatja e fushatës konvencionale, që nënkupton takimet dhe tubimet që kërkojnë prezencën fizike të kandidatëve dhe qytetarëve, duhet të shkurtohet”, ka shkruar Krasniqi.

Ai ka konfirmuar se mbetet i hapur për të diskutuar, së bashku edhe me akterët e tjerë relevantë, për kohëzgjatjen dhe formatin e fushatës zgjedhore konvencionale, ndërsa ka sugjeruar që fushata dixhitale, debatet mediale dhe të ngjashme, që nuk kërkojnë mbledhjen e shumë personave dhe nuk shkaktojnë rrezikim të shëndetit të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të lejohen në pajtim me kohëzgjatjen e paraprë me legjislacionin në fuqi.

“Jam i gatshëm që të ofroj kontributin e Partisë Demokratike të Kosovës për të dakorduar formën më të mirë të organizimit të kësaj alternative”, ka thënë Krasniqi.