Fauci shpjegon variantin e virusit “Mu”: Ai mund të shmangë disa antitrupa të vaksinave

Drejtori i Institutit Kombëtar për Alergji dhe Sëmundje Ngjitëse në Shtetet e Bashkuara, Dr. Anthony Fauci, është deklaruar rreth variantit “Mu” kundër koronavirusit, i cili është kategorizuar si variant me interes nga Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Fauci, i cili e ka edhe postin e kryekëshilltarit mjekësor të Shtëpisë së Bardhë, tha se ky variant momentalisht nuk është duke paraqitur rrezik të madh për amerikanët, shkruan Fox News.

“Po i kushtojmë vëmendje, marrim seriozisht gjithçka si ky, por nuk e vlerësojmë si kërcënim të menjëhershëm tash për tash”, tha Fauci të enjten gjatë konferencës së rregullt për gazetarë në Shtëpinë e Bardhë rreth menaxhimit të pandemisë.

“Ky variant ka një grup mutacionesh që sugjeron se ai mund t’iu shmanget antitrupave të caktuar, jo vetëm antitrupave monokloidë, por edhe antitrupave të nxitur nga vaksina dhe nga limfa e personave të shëruar, por nuk ka të dhëna të shumta klinike për ta sugjeruar këtë, ato janë kryesisht të dhëna të izoluara laboratorike”, tha ai.

“Mbajeni në mend, edhe kur kemi variante që disi e ulin efikasitetin e vaksinave, vaksinat ende janë goxha efektive kundër varianteve të asaj kohe”, shtoi Fauci në fund, duke thënë se zyrtarët shëndetësorë janë duke e përcjellë me vëmendje atë që po ndodh me variantin “Mu”.

Gjatë konferencës, infektologu gjithashtu tha se nuk do të ishte i befasuar aspak, nëse amerikanëve do t’u kërkohet që të marrin tri doza të vaksinës për t’u mbrojtur nga koronavirusi, por shtoi se vendimin për këtë do t’ua lërë zyrtarëve të tjerë.