Afganët po bëjnë plazh: Ne ndihemi shumë mirë këtu në Shqipëri, çdo gjë është ndryshe!

Mes pushuesve të shumtë në Shëngjin konstaton lehtësisht dhe shtetas afganë. Të strehuar në këtë zonë turistike, ata lëvizin lirisht dhe kanë nisur të ambientohen me vendin tonë.

Disa dalin në shëtitoren e plazhit e rrugë të qytetit e të tjerë marrin rreze në breg të detit. “Unë jam nga Afganistani. Ne kemi ardhur në Shqipëri, një vend që shtrihet në Europën Qendrore. Është një vend shumë i mirë, ka njerëz shumë të mirë dhe dua të falënderoj qeverinë dhe popullin shqiptar për mikpritjen e treguar dhe përpjekjet për të ndihmuar të gjithë refugjatët afganë”, thotë Tore Korin, refugjat afgan.

Korin, të cilin e takuam me fëmijën e mitur në krah në shëtitoren “Willson” në Shëngjin, thotë se ka nisur shumë shpejt të ambientohet në këtë zonë. “Unë kam dy ditë që kam ardhur këtu dhe jam ambientuar shumë shpejt. Për fat të mirë nuk na kanë penguar të dalim nga ambientet e resortit. Dalim në plazh, shëtitje e në darkë argë- tohemi këtu se bëjnë muzikë. Njerëzit na kanë pritur shumë mirë dhe pavarësisht vështirësive në komunikim, po na mbajnë shumë afër. Të them të drejtën këtu po ndihemi si në shtëpinë tonë dhe nuk e kisha menduar një mikpritje kaq të mirë”, shton Tore Korin.

Sipas të dhënave zyrtare, në Shëngjin deri tani janë strehuar 400 refugjatë nga Afganistani, të cilët janë transferuar nga Qyteti Studenti në Tiranë, ndërsa është plani- fikuar që të akomodohen 2 mijë persona. Kontingjenti i parë i afganëve mbërritën të hënën dhe janë strehuar në ambientet e një resorti, i cili ndodhet në vijën e parë të plazhit në qendër të Shëngjinit. 300 të tjerë kanë mbërritur mbrëmjen e së mërkurës në Shëngjin. Transporti i tyre nga Tirana është bërë me autobusë dhe nën shoqërimin e forcave të Policisë, të cilët i monitorojnë përgjatë 24 orëve. Baha është një refugjat afgan i strehuar në Shëngjin. Ai ka punuar profesor dhe së fundmi gazetar dhe tregon vështirësitë që ka kaluar në vendin e tij për shkak të luftës së gjatë.

“Çdo gjë është ndryshe. Duhet ta dini se vij nga një vend i cili ka pasur katër vjet luftë dhe nga një vend i shkatërruar dhe erdha në një vend europian. Siç e keni ndjekur në media, pjesa më e madhe e vendit është nën kontrollin taliban dhe gratë nuk kanë të drejtë të shkojnë në shkollë, të punojnë apo të shkojnë për pazar pa qenë të shoqëruara nga një mashkull i rritur i familjes. Gazetarët nuk mund ta bëjnë punën e tyre si duhet dhe e ndiej që ne jemi kthyer mbrapsht në shekullin e 11-të. Në dy dekadat e fundit, kemi pasur goxha zhvillim sepse atje kishte demokraci dhe të huajt ishin aty duke na ndihmuar ne. Por tani duhet të them se ne jemi kthyer mbrapa. Nuk ka më të ardhme të ndritur për ne”, thotë Baha.