Flasin nga OVL-UÇK: Aksioni i PSD-së na e ka knaq zemrën, policia u ngut me reagimin

Gjatë ditës së hënë, kryetari i PSD-së, Dardan Mulliqaj dhe anëtarët e tjerë të partisë kanë protestuar duke fishkëllyer tek konferenca e kryetares së Speciales, Ekatarina Trendafilova.

Përgjatë aksionit simbolik jashtë konferencës për media, Policia e Kosovës përdori dhunë të madhe ndaj Dardan Molliqajt dhe aktivistëve të tjerë, duke i lënduar gjatë arrestimit.

E ndërkohë ky lloj aksioni i Policisë së Kosovës, ka marrë kritika të shumta, duke u cilësuar si reagim i tepruar.

Kryetari në detyrë i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Faton Klinaku, ka folur për ngjarjet e djeshme.

Klinaku për lajmi.net, aksionin e PSD-së e konsideron shumë paqësor dhe shumë të rëndësishëm sa i përket mbrojtjes së luftës çlirimtare të UÇK-së.

“Aksioni i PSD-së u kanë shumë paqësor, na ka knaq zemrën, një aksion që ju tregon ndërkombëtarëve që vendi është në mbështetje të luftëtarëve tanë që gjenden në Hagë”, tha për lajmi.net Klinaku.

Për Klinakun, reagimi i Policisë së Kosovës ishte i tepruar dhe jo i duhur, pasi sipas tij aksioni ishte shumë paqësor dhe në nivel.

“Policia e Kosovës u ngut, aksioni i tyre ishte i tepërt dhe nuk ishte nevoja të ndërhyej në atë mënyrë se aksioni i PSD-së ishte shumë në nivel dhe i qetë”, shtoi ndër të tjera kryetari në detyrë i OVL-së.

Molliqaj dhe aktivistë të tjerë u liruan ,e procedurë të rregullt të hënën pasdite.