Kurti: Me 8 gusht s’patëm asnjë vdekje, mirëpo këto tri javët e fundit janë më të rëndat për popullin e Kosovës

Kryeministri Albin Kurti, në mbledhjen e sotme të Qevrisë ka thënë se tri javët e fundit janë më të rënda për popullin e për institucionet.

Kurti fjalimin e tij e ka publikuar edhe në rrjetin social Facebook, me ç’rast u ka kërkuar qytetarëve që të vaksinohen sepse ka doza të mjaftueshme të vaksinave.

Sipas tij, këtë javë do të arrijë në 1 milion numri i vaksinave të administruara në vend.

Shkrimi i Kurtit:

Në hapjen e mbledhjes së sotme të Qeverisë ju shpreha mirënjohjen dhe falënderimin të gjithë punonjësve shëndetësorë, mjekëve dhe infermierëve për angazhimin vetëmohues për t’u dalë në ndihmë të prekurve nga virusi, në kohën e variantit Delta, i cili është shpërndarë në mënyrë eksplozive, shumë më shpejt e më gjerë sesa versionet e mëhershme.

Me datë 8 gusht, nuk kishim asnjë të vdekur në Kosovë, mirëpo këto tri javët e fundit, janë javët më të rënda për popullin e Kosovës, e më të vështirat për institucionet e shtetit tonë. Ju shpreh ngushëllime të gjithë familjarëve për humbjen e më të dashurve.

Falënderoj në veçanti të gjithë zyrtarët policorë, të cilët po kujdesen për zbatimin e masave dhe të cilët po punojnë me ndërrime nga 12 orë, prej se ne morëm një vendim të tillë.

Ju bëj thirrje të gjithë atyre, që nuk janë vaksinuar, të caktojnë terminë, sepse vaksina ka mjaftueshëm dhe çdo ditë po pranojmë doza të reja. Deri më tani kemi administruar afër një milion vaksina. Kjo është java kur e mbërrijmë numrin një milion, prej të cilave dy të tretat janë me dozën e parë, ndërkaq një e treta janë edhe me dozën e dytë.

Në mbledhjen e 34-të të Qeverisë morëm disa vendime:

– Që t’u mundësojmë shumë familjeve mbulimin e shpenzimeve të nevojshme, për përballimin e vështirësive të shkaktuara nga pandemia COVID-19, ndamë shumën prej 10 milionë eurove, e paraparë me masën 3.6 nga Pakoja e Ringjalljes Ekonomike

-Miratuam propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë për plotësim-ndryshimin e 15 projektligjeve, me qëllim të harmonizimit të dispozitave ligjore me Ligjin për Kundërvajtje. Ky obligim ligjor është dashur të përfundonte në vitin 2018, por një gjë të tillë e bëmë sot.

-Siç jemi zotuar në Programin e Qeverisë, për të përmirësuar mënyrën e punës, organizimin dhe funksionimin e Qeverisë, e përditësuam kornizën ligjore. Si rezultat i fuzionimit të ministrive është zgjeruar fushëveprimi dhe janë rritur përgjegjësitë e tyre.

-Miratuam Rregulloren për trajtimin e kompensimit për ofrimin e shërbimeve të interesit të përgjithshëm ekonomik, e cila përcakton kriteret për ndihmën “de minimis” që mund të përfitojnë ndërmarrjet që ofrojnë shërbime me interes të përgjithshëm ekonomik.

– Me qëllim të fuqizimit të konsumatorit për rol aktiv në treg, miratuam Draftin e Programit për Mbrojtjen e Konsumatorit, që përcakton politikat dhe përvetëson praktikat më të mira evropiane për mbikëqyrje dhe transparencë në treg.

– Vendosëm bazën për hartimin e një ligji të ri për sigurinë e përgjithshme të produkteve, që do të parandalojë me efikasitet prodhimin dhe tregtimin e produkteve mashtruese. Ky koncept-dokument është pjesë e reformës ligjore për lëvizjen e lirë të mallrave dhe sigurinë e produkteve.

– U aprovua kërkesa e Ministrisë së Mbrojtjes për t’i kërkuar Presidentes së Republikës së Kosovës dhënien e autorizimit për nënshkrimin e marrëveshjes për statusin e forcave (SOFA) mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut.