Kurti, letër falënderimi kryeministrit të Kroacisë: Kosova do të mbajë zemrën dhe derën hapur për miqtë si

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti i ka dërguar letër falënderimi Kryeministrit të Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, nëpërmjet së cilës ia ka shprehur falënderimin e tij dhe të popullit e Qeverisë së Republikës së Kosovës, për ndihmën që shteti dhe institucionet shëndetësore kroate ua ofruan bashkatdhetarëve tanë pas aksidentit tragjik në Slavonski Brod të Kroacisë.

Kryeministri Kurti ka thënë se reagimi i shpejtë i autoriteteve kroate për t’u ofruar trajtim mjekësor të lënduarve dhe strehim udhëtarëve të tjerë, shpërfaqi vlerat më të larta dhe shpirtin bujar të popullit kroat.

“Angazhimi juaj vetëmohues dhe i institucioneve të shtetit tuaj për t’ua ofruar gjithë kujdesin e nevojshëm bashkatdhetarëve tanë, ka prekur thellë zemrat tona”, ka shkruar në letër kryeministri Kurti.

Ai e ka siguruar kryeministrin e Kroacisë se populli dhe Qeveria e Kosovës nuk do ta harrojë kurrë aktin e tij të humanizmit e solidaritetit dhe se Republika e Kosovës do të mbajë gjithmonë zemrën dhe derën hapur për miqtë si Plenkoviq.