Medalje për Beau Biden, Kosova nderon djalin e Presidentit amerikan

Në një ceremoni të posaçme në Prishtinë, Kosova nderoi me Medaljen Presidenciale për Sundim të Ligjit, Beau Biden, djalin e Presidentit amerikan, Joe Biden.

Ish-prokuror i përgjithshëm në Delauer, 20 vjet më parë, Beau punoi në Kosovë si këshilltar ligjor në kuadër të misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, për ngritjen e sistemit të drejtësisë në vendin e rrënuar nga lufta.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Medalja Presidenciale për Sundimin e Ligjit i jepet pas vdekjes, “për kontributin e tij në këtë fushë gjatë shërbimit të tij në Kosovë”.

Zoti Beau Biden u nda nga jeta në vitin 2015, në moshën 46-vjeçare. Përmes një videomesazhi, kreu i Shtëpisë së Bardhë, Joe Biden, u shpreh mirënjohës për vlerësimin e trashëgimisë së të birit, që, siç tha, punoi me zemër dhe u dashurua me Kosovën: “Në atë kohë, Kosova kishte ende plagë të luftës dhe drejtësi të mbytur për shkak të sundimit totalitar. Por, Beau e pa se çfarë mund të bëni ju. Beau e pa edhe atëherë të ardhmen që ishte e mundur për shtetin tuaj krenar, të ardhmen e mohuar për një kohë të gjatë për Kosovën. Kjo është arsyeja pse ai ishte aq i përkushtuar për të punuar me popullin e Kosovës, për t’u siguruar që krimet e luftës të hetohen dhe ndiqen në mënyrë profesionale, për të ndihmuar Kosovën në ndërtimin e një sistemi të drejtë gjyqësor, të zotin për të vendosur drejtësi dhe pajtim në vend”.

Presidenti amerikan shtoi se vlerëson përparimin e arritur në 20 vitet e fundit në Kosovë, por, tha se ka ende punë për të bërë në luftën kundër korrupsionit, mbrojtjen e të drejtave të pakicave etnike dhe fetare, për të ndërtuar marrëdhënie pozitive me vendet fqinje dhe për zhvillimin ekonomik.

“Shtetet e Bashkuara do të mbeten partner i palëkundur i Kosovës”, tha në video-mesazh Presidenti Biden.